Pakistan/ Dy ushtarë vriten nga bombardimet indiane në Kashmir

Azia

Pakistan/ Dy ushtarë vriten nga bombardimet indiane në Kashmir

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 11:05
Pakistan

Dy trupa të ushtrisë pakistaneze janë vrarë në një përplasje me trupat kufitare indiane përgjatë kufirit me Kashmirin.

Përleshja e fundit ndodhi përgjatë Linjës së Kontrollit (LoC), një kufi 'de facto' që ndan rajonin e diskutueshëm Xhamu dhe Kashmir midis dy fqinjëve bërthamorë.

"Trupat indiane nisën shkeljen e armëpushimit në Sektorin Bagsar përgjatë LoC-it. Gjatë shkëmbimit intensiv të zjarrit, dy ushtarë, 35-vjeçari Naik Shahjahan dhe 21-vjeçari Sepoy Hameed, u martirizuan përderisa luftonin trimërisht", njoftoi ushtria pakistaneze.

Trupat pakistaneze u përgjigjën menjëherë, tha ushtria, duke shkaktuar "humbje të mëdha të trupave indiane në njerëz dhe materiale".

Kashmiri, një rajon në Himalaje me shumicë muslimane, kontrollohet nga India dhe Pakistani në pjesë, por nga të dyja palët pretendohet i plotë. Një pjesë e vogël e rajonit po ashtu kontrollohet nga Kina.

Që kur u ndanë në vitin 1947, India dhe Pakistani kanë zhvilluar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave ishin për Kashmirin.

Disa grupe të Kashmirit kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, mijëra janë vrarë dhe torturuar në konfliktin që shpërtheu në vitin 1989.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat