Gjendet vendndodhja e avionit që u rrëzua në det një ditë më parë

Azia

Gjendet vendndodhja e avionit që u rrëzua në det një ditë më parë

Më: 10 janar 2021 Në ora: 09:41
Sinjali i avionit Boeing 737-500 u pikas nga një ekip ushtarak në detin Xhava

Pas dhjetëra orësh kërkime, autoritetet në Indonezi mundën të pikasnin vendndodhjen e një avioni pasagjerësh i cili humbi lidhjet me pikën e kontrollit.

Një anije ushtarake kapi sinjalet e avionit, i cili kishte 62 persona në bord dhe që qe nisur të shtunën nga Xhakarta me destinacion Pontianakun, kryeqytetin e një province të Indonezisë në ishullin Borneo – rreth 90 minuta larg me fluturim.

Sinjali i avionit Boeing 737-500 u pikas nga një ekip ushtarak në detin Xhava. Ata thanë se kishin gjetur pjesë të avionit të cilat përmbanin numra të identifikimit, mirëpo nuk saktësuan nëse sinjali që bëri të mundur gjetjen vinte nga kutia e zezë e mjetit fluturues.

Avioni humbi komunikimin me qendrën e fluturimeve rreth 4 minuta pasi qe nisur nga aeroporti i Xhakartës. Fillimisht nisja qe shtyrë me rreth një orë e më pas gjithçka kishte vijuar normalisht, mirëpo pas nisjes në orën 7:36 gjërat nuk shkuan mirë.

Në bord kishte 50 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, që të gjithë të kombësisë indoneziane.

Modeli Boeing 737 i kompanisë amerikane Boeing është një nga më të përdorurit në botë për fluturime të shkurtra dhe të mesme. Versioni 737-500 është disi më pak i përdorur. Agjencitë e fluturimeve vijuan ta përdornin këtë model në vitet ’90 dhe prej së paku dy dhjetëvjeçarësh nuk prodhohet më.

Kompania Boeing përcolli një mesazh ngushëllimi dhe keqardhjeje për gjithçka ndodhi duke shprehur gatishmërinë për të asistuar autoritetet indoneziane.

Indonezia, e cila ka një popullsi prej 260 milionë banorësh, është tronditur disa herë nga aksidentet ajrore.

Në tetor 2018 një avion Boeing 737 Max 8 me në bord 189 persona u rrëzua në detin Xhava pak minuta pasi qe nisur nga aeroporti i Xhakartës. Ky ishte aksidenti më i rëndë që prej vitit 1997 kur një avion me 234 persona u rrëzua në ishullin Sumatra.

Mes kësaj periudhe një tjetër avion në dhjetor 2014 me 162 persona u rrëzua në det. Në të gjitha rastet nuk ka pasur të mbijetuar.

Për shkak të këtyre aksidenteve agjencitë indoneziane të fluturimeve kanë qenë të ndaluara të kryejnë linja drejt Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për mungesë të garantimit të sigurisë, mirëpo së fundmi ky kufizim është hequr pasi autoritetet kanë parë përmirësime të standardeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat