Irani mban stërvitje raketore

Azia

Irani mban stërvitje raketore

Më: 13 janar 2021 Në ora: 13:14
Makran, anija më e madhe ushtarake e Iranit, mori pjesë në stërvitjet detare në Gjirin e Omanit.

Ushtria iraniane ka nisur stërvitjet e raketave detare me rreze të shkurtër në Gjirin e Omanit, raportuan mediat shtetërore.

Televizioni shtetëror tha më 13 janar se anija luftarake logjistike Makran, e përshkruar si anija ushtarake më e madhe e Iranit, dhe anija që shërben për lëshimin e raketave Zereh, po merrnin pjesë në stërvitjet dy-ditore.

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur që nga viti 2018, kur presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi Uashingtonin nga një marrëveshje bërthamore ndërkombëtare midis Teheranit dhe fuqive botërore, duke argumentuar se marrëveshja e vitit 2015 nuk ishte e mirë.

Administrata amerikane gjithashtu vendosi sanksione shkatërruese mbi Iranin në një përpjekje për të detyruar Teheranin të negocionte një marrëveshje të re që do të adresonte gjithashtu programet raketore të vendit dhe mbështetjen e tij për grupet militante në vendet tjera të rajonit.

Si përgjigje ndaj tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja dhe vendosjes së sanksioneve ekonomike, Irani, i cili pretendon se programi i tij bërthamor është për qëllime civile, ka shkelur gradualisht pjesë të paktit, siç është pasurimi i uraniumit.

Në një fjalim televiziv gjatë një takimi të kabinetit më 13 janar, presidenti iranian, Hassan Rohani, tha se sanksionet e SHBA do të dështonin.

"Ne jemi dëshmitarë të dështimit të një politike, fushatës maksimale të presionit dhe terrorizmit ekonomik", tha Rohani.

Një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit i SHBA, Mike Pompeo, pretendoi se Irani i ka ofruar strehë të sigurtë udhëheqësve të grupit militant, Al-Kaida, pavarësisht skepticizmit brenda komunitetit të inteligjencës dhe Kongresit.

Pompeo nuk dha prova të forta për të mbështetur pretendimet e tij, të bëra një javë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar.

Biden ka sugjeruar që Uashingtoni mund të rikthejë marrëveshjen bërthamore - sipas së cilës Teherani u zotua të kufizojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit nga sanksionet - nëse Irani i përmbush kushtet e tij.

Por, zyrtarët iranianë këmbëngulin që Shtetet e Bashkuara duhet së pari të heqin sanksionet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat