Princesha e Dubait "është nën kujdes shtëpiak", thotë familja mbretërore

Azia

Princesha e Dubait "është nën kujdes shtëpiak", thotë familja mbretërore

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 18:21
Princesha Latifa e Dubait.

Princesha Latifa është "nën kujdes në shtëpi”, ka thënë familja mbretërore e Dubait.

“Ajo është nën kujdes në shtëpi e mbështetur nga familja e saj dhe profesionistët shëndetësorë”, ka thënë familja në një deklaratë të cilën e ka lëshuar ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Londër.

Ne deklaratë thuhej se pamjet e transmetuara në BBC dhe mediat tjera nuk “tregonin gjendjen aktuale”.

"Ajo vazhdon të përmirësohet dhe ne shpresojmë që ajo do të kthehet në jetën publike në kohën e duhur", tha familja mbretërore.

Panorama, programi hulumtues i transmetuesit britanik BBC, ka publikuar më 16 shkurt një video në cilën është shfaqur Princesha Latifa, një prej vajzave të udhëheqësit të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, duke thënë se ajo është izoluar kundër dëshirës së saj në një vilë të barrikaduar.

Princesha Latifa bin Mohammed al-Maktoum ka fituar vëmendje ndërkombëtare më 2018 kur një grup i të drejtave të njeriut ka publikuar një video që ka bërë ajo, teksa ka tentuar të ikë nga Dubai.

Fushata për lirimin e Latifas, përmes së cilës është kërkuar lirimi i saj për kohë të gjatë, ka thënë se ka arritur t’ia dorëzojë asaj një telefon.

“Unë jam peng në këtë vilë, që është shndërruar në burg”, ka thënë Latifa, 35-vjeçare, në një video të publikuar nga Panorama. “Të gjitha dritaret janë të mbyllura, nuk mund ta hap asnjërën”.

Ajo ka thënë se ka bërë videon në banjo të vilës, meqë ajo është hapësira e vetme me çelës. “Nuk e di nëse do t’i mbijetoj kësaj situate”, ka thënë ajo në njërën prej videove.

BBC ka thënë se videot janë incizuar disa muaj më parë.

Të premten, Zyra e Komisionarit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, kërkoi nga Emiratet e Bashkuara Arabe që të sigurojë prova që Princesha është gjallë.

Por, në daklaratën e familjes mbretërore nuk kishte të bashkangjitur asnjë video ose fotografi e cila mund të shërbente si provë se Princesha është gjallë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat