Shënohet rekord i vdekjeve nga Covid-19 në Indi

Azia

Shënohet rekord i vdekjeve nga Covid-19 në Indi

Më: 5 maj 2021 Në ora: 08:43
Foto ilustrim

India shënoi shifër rekorde të vdekjeve nga sëmundja Covid-19 me 3.780 viktima gjatë 24 orëve të fundit. Numri alarmant erdhi vetëm një ditë pasi ky shtet u bë vetëm i dyti në botë që e kaloi shifrën e 20 milionë të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara.

Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u shënua edhe shifra shqetësuese prej 382.315 rasteve të reja të infeksioneve. Sipas parashikimit të qeverisë, virusi e ka arritur kulmin të mërkurën, disa ditë më herët sesa mendohej për parë, për shkak se është përhapur më shpejt seç pritej.

Shtimi i madh i rasteve me variantin shumë ngjitës indian të virusit ka bërë që spitalet të mbesin pa shtretër të lirë dhe oksigjen mjekësor, ndërsa morgjet dhe krematoriumet gjithashtu janë stërmbushur. Shumë njerëz kanë vdekur në autoambulanca dhe parkingje veturash duke pritur për një shtrat në spital apo oksigjen, shkruan Reuters.

Dy trena të mbushur me rezerva të oksigjenit mjekësor arritën në kryeqytetin indian të mërkurën, bëri të ditur ministri i Hekurudhave. Mbi 25 trena me rezerva oksigjeni janë dërguar deri më tani në pjesë të ndryshme të vendit.

Qeveria indiane thotë se ka oksigjen të mjaftueshëm, por shpërndarja e tij është vështirësuar për shkak të problemeve të transportit. Shtimi i rasteve ka ardhur në një kohë kritike për Indinë, kur vendi po përballet edhe me ulje të numrit të vaksinimeve për shkak të problemeve me furnizim dhe shpërndarje të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat