Talibanët e Afganistanit planifikojnë armëpushim treditor për shkak të Bajramit

Azia

Talibanët e Afganistanit planifikojnë armëpushim treditor për shkak të Bajramit

Më: 10 maj 2021 Në ora: 09:33
Afganistan

Talibanët e Afganistanit të hënën njoftuan një armëpushim treditor për festën e Fiter Bajramit këtë javë duke shënuar fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit për myslimanët.

Armëpushimi do të fillojë të mërkurën ose të enjten.

Vetëm disa orë pasi u njoftua armëpushimi, një autobus në provincën jugore të Zabul u godit nga një minë duke vrarë 11 vetë, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Tariq Arian. Të paktën 24 persona të tjerë në autobus u plagosën. Pajisjet shpërthyese të improvizuara mbushin fshatrat dhe janë përdorur gjerësisht nga Talibanët.

Zëdhënësi i Talibanëve, Suhail Shaheen, ka thënë se luftëtarët talibanë janë urdhëruar të ndalojnë të gjitha ofensivat, "për të siguruar një atmosferë të qetë dhe të sigurt për bashkatdhetarët tanë... në mënyrë që ata ta festojnë këtë rast të gëzueshëm me një paqe më të madhe shpirtërore”.

Njoftimi për armëpushim vjen mes një dhune të shtuar në vend dhe pas një sulmi brutal ndaj një shkolle vajzash të shtunën që vrau rreth 60 njerëz, shumica prej tyre studentë midis 11-15 vjeç. Numri i të vdekurve nga tre shpërthimet vazhdon të rritet.

Talibanët mohuan çdo përgjegjësi dhe dënuan sulmin, i cili ndodhi në lagjen kryesisht shiite në perëndim të kryeqytetit.

Njoftimi për armëpushim vjen gjithashtu ndërsa SHBA dhe NATO po tërheqin forcat e tyre të fundit ushtarake. 2.500-3.500 ushtarët e fundit amerikanë dhe afërsisht 7.000 forca aleate të NATO-s do të largohen më së voni deri më 11 shtator.

Qeveria afgane nuk i është përgjigjur ende njoftimit të armëpushimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat