Irani miraton vaksinën Johnson&Johnson

Azia

Irani miraton vaksinën Johnson&Johnson

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 22:58
Fotografi ilustruese: Doza të vaksinës Johnson&Johnson.

Autoritetet në Teheran miratuan përdorimin e vaksinës Johnson&Johnson kundër koronavirusit, të prodhuar nga gjiganti farmaceutik amerikan me të njëjtin emër.

“Vaksina Johnson&Johnson, qe jepet me një dozë, u miratua”, tha udhëheqësi i Administratës iraniane të Ushqimit dhe Barnave, Mohammad Reza Shanehsaz.

Ai tha se edhe vaksina ruse Sputnik Light, që po ashtu jepet me një dozë, u miratua për përdorim në Republikën Islamike.

Vendimi i këtij vendi për të miratuar vaksinën Johnson&Johnson vjen tetë muaj pasi udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ka ndaluar vaksinat e prodhuara në Britani dhe SHBA, duke thënë se këto vende “nuk kanë besë”.

Por, presidenti Ebrahim Raisi, i cili ka marrë detyrën në muajin gusht, ka premtuar se do ta ketë prioritet luftën kundër koronavirusit.

Irani, deri më tash, ka përdorur vaksinën e tij COVIran Barakat, ashtu si edhe vaksinën ruse Sputnik V, Covavaxin e Indisë dhe një version të vaksinës britanike AstraZeneca të prodhuar nga një ndërmarrje e përbashkët e Rusisë dhe Koresë së Jugut.

Ministria e Shëndetësisë e Iranit tha se rreth 13 milionë njerëz - nga 83 milionë sa ka ky vend - janë vaksinuar plotësisht.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Irani ka regjistruar mbi 5.3 milionë raste të të infektuarve me koronavirus dhe 116,072 viktima.

Me këto shifra, ai është vendi më i goditur në Lindjen e Mesme./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat