Punonjësit qeveritarë do të fillojnë të paguhen, thonë talibanët

Azia

Punonjësit qeveritarë do të fillojnë të paguhen, thonë talibanët

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 13:46
Zabihullah Mujahid

Administrata talibane e Afganistanit do të fillojë të paguajë pagat e vonuara të punonjësve të Qeverisë, thanë zyrtarët.

Mijëra punonjës të Qeverisë afgane të udhëhequr nga talibanët ka tre muaj që nuk i kanë marrë pagat.

Kjo është vetëm njëra nga krizat e shumta me të cilat u përballën talibanët që kur e morën pushtetin në muajin gusht.

"Ministria e Financave njofton se, duke filluar nga sot (20 nëntor), pagat e tre muajve të fundit të të gjithë punonjësve dhe stafit të Qeverisë do të paguhen plotësisht", tha zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid në një postim në Twitter.

Talibanët nuk kanë njoftuar për burimin e mjeteve financiare me të cilat do të bëjnë realizimin e pagave.

Edhe përpara se talebanët të merrnin kontrollin e vendit në gusht, shumë punonjës të sektorit publik thanë se nuk ishin paguar për javë të tëra.

Pasi lëvizja mori pushtetin, miliarda dollarë nga fondet e qeverisë afgane të ruajtura jashtë vendit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë u ngrinë.

Qeveritë e huaja nuk kanë qenë të gatshme të financojnë drejtpërdrejt administratën e udhëhequr nga talibanët. Institucionet financiare globale gjithashtu kanë ndërprerë financimin.

Pas një takimi të enjten midis të dërguarve të Gjermanisë dhe Holandës dhe zyrtarëve talibanë në Kabul, u diskutua për të filluar me pagesën e punonjësve të sektorit të shëndetësisë dhe arsimit drejtpërdrejt përmes organizatave ndërkombëtare.

Është e paqartë nëse njoftimi i talibanëve lidhet me këtë.

Një zëdhënës tjetër i talebanëve, Inamullah Samangani, tha në Twitter të shtunën se administrata kishte arritur të mbledhë të ardhura ditore nga tatimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat