Kriza ushqimore në Afganistan

Azia

Kriza ushqimore në Afganistan

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 07:22
Afganistan

Afganistani po përballet me mungesa të mëdha ushqimore. Me afrimin e dimrit,rrugët e furnizimit në pjesë të mëdha të vendit do të ndërpriten nga dëbora. Agjencitë e ndihmave thonë se po nxitojnë për të shmangur urinë dhe kequshqyerjen në temperaturat e ftohta të dimrit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ayesha Tanzeem, bidesoi me disa familje afgane që po luftojnë për të ushqyer fëmijët e tyre.

Një fëmijë i uritur, duke qarë për qumësht. Një pamje e zakonshme në Afganistanin e sotëm. Agjencitë ndërkombëtare të ndihmave thonë se më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, një rekord prej 22.8 milionë njerëzish, do të përballet me urinë në muajt e ardhshëm. Këtu përfshihen miliona fëmijë.

“Më parë, kur babai i tyre punonte, u jepnim fëmijëve nga një shishe qumësht, dy herë në ditë. Tani të dy ndajnë një shishe qumësht për gjithë ditën. Dy shishe zgjasin 48 orë”, thotë Seema, banore e Kabulit.

Të gjithë në këtë familje, nëna, babai, djali dhe vajza kanë humbur punën. Pa të ardhura, sigurimi i ushqimit është i vështirë.

“Kanë kaluar tre javë që kur kemi gatuar një vakt. Hamë vetëm bukë thatë, dhe nëse hamë në drekë, nuk kemi asgjë për darkë. Nëse hamë për darkë, nuk kemi asgjë për mëngjes”, thotë Seema.

Katër dekada luftë e kanë lënë vendin të varfër. Gati tre të katërtat e buxhetit të qeverisë afgane mbështet nga financimi i huaj. Ky financim u ndal kur talebanët morën pushtetin. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë ngrirë rreth 10 miliardë dollarë të pasurive të Afganistanit. Tani, vendi po përballet me një katastrofë ekonomike.

Në një qendër të shpërndarjes së ushqimit në Kabul, e krijuar nga Programi Botëror i Ushqimit, radhët janë të gjata.

“Programi mori 100 milionë dollarë për të siguruar ushqim, por kjo nuk mjafton. Ne kemi nevojë për 100 milionë dollarë të tjerë tani para fillimit të dimrit dhe 300 milionë dollarë të tjerë deri në vitin 2022”, thotë Mary-Ellen McGroarty, drejtoreshë e WFP-së për Afganistanin.

Situata është përkeqësuar nga pandemia COVID-19 dhe një thatësirë e madhe, e dyta në katër vjet. Shumë prej tyre kanë humbur vendet e punës. Shumë njerëz nuk janë paguar prej muajsh. Qindra mijëra janë zhvendosur nga konflikti dhe thatësira.

“Dikur kisha ushqim dhe rroba. Por kur u shpërngula, nuk mund të merrja asgjë me vete. Edhe këmbët më janë lënduar”, thotë Nazia Syed Muhammad.

Afganistani është tani vendi me krizën më të rëndë humanitare në botë. Racionet e ndihmës u mundësojnë familjeve si kjo të hanë një vakt të mirë, por jo për shumë kohë.

Çfarëdo ndihme që marrin sot do t'u zgjasë vetëm për një muaj, dhe me ardhjen e dimrit, ata nuk e dinë se si do ta përballojnë vitin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat