AI kërkon nga Kazakistani që të lirojë të arrestuarit gjatë protestave

Azia

AI kërkon nga Kazakistani që të lirojë të arrestuarit gjatë protestave

Më: 13 janar 2022 Në ora: 13:16
Dëmet nga protesta në Almati më 5 janar 2022.

Organizata Amnesty International ka kërkuar nga autoritetet kazake që të lirojnë menjëherë gazetarët dhe aktivistët e arrestuar gjatë protestave të javës së kaluar në mbarë vendin, që u shndërruan në dhunë në qytetin Almati.

Amnesty International tha se personat që nuk kanë kryer krime të njohura ndërkombëtarisht, por janë arrestuar në mënyrë arbitrare për shkeljen e një ligji kundërthënës kazak për tubimet publike, duhet që po ashtu të lirohen menjëherë.

Zyrtarët në Kazakistan kanë thënë se pothuajse 10,000 persona janë arrestuar në mbarë vendin, në protestat që u nxitën nga rritja e çmimeve të karburanteve.

Amnesty International po ashtu ka kërkuar nga autoritetet kazake që të kryejnë hetime të pavarura për të gjitha shkeljet e raportuara të të drejtave të njeriut gjatë protestave, përfshirë edhe rastet kur policia është akuzuar se ka përdorur armë vdekjeprurëse ndaj protestuesve paqësor.

Numri i saktë i protestuesve të vrarë vazhdon të jetë i panjohur, edhe pse autoritetet kazake kanë thënë se të paktën 18 zyrtarë të sigurisë janë vrarë gjatë protestave.

Një kanal në Telegram, i afërt me Qeverinë kazake, ka thënë më 10 janar se 164 civilë kanë vdekur gjatë protestave, por Ministria e Shëndetësisë më vonë tha se kjo shifër është e pasaktë.

“Heshtja e autoriteteve sa i përket numrit të saktë të viktimave nga trazirat dhe rrethanat sesi vdiqën ata, është skandaloze. Informacioni mbi viktimat civile duhet të publikohet menjëherë”, tha Marie Struthers, drejtoreshë për Evropën Lindore dhe Qendrore në Amnesty International.

Presidenti kazak, Qasym-Zhomart Toqaev ka fajësuar aktivistët dhe gazetarët e pavarur për “nxitje të protestave”, që çoi në arrestimin e disa gazetarëve në disa qytete në mbarë vendin. Disa gazetarë ende konsiderohen të zhdukur.

Më herët gjatë javës, zyrtarët në Kazakistan kanë thënë se situata është qetësuar. Pas shpërthimit të trazirave, Toqaev kishte kërkuar trupa nga Organizata e Traktatit për Siguri Kolektive – që udhëhiqet nga Rusia – por, më 13 janar rreth 2,000 trupa të kësaj organizate kanë filluar tërheqjen nga Kazakistani. Procesi i tërheqjes së trupave pritet të përmbyllet brenda dhjetë ditësh./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat