Përplasje të reja në Jeruzalem pranë vendeve të shenjta

Azia

Përplasje të reja në Jeruzalem pranë vendeve të shenjta

Më: 17 prill 2022 Në ora: 21:05
Policia izraelite e dislokuar në pjesën e vjetër të Jeruzalemit (17 prill 2022)

 Policia izraelite hyri të djelën në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa në pjesën e vjetër të qytetit të Jeruzalemit, për të siguruar kalimin e vizitorëve hebrenj drejt vendit të shenjtë. Sipas punonjësve palestinezë të mjekësisë nga përplasjet e shkaktuara mbetën 17 palestinezë të plagosur.

Trazirat ndodhën vetëm dy ditë pas përplasjeve me palestinezët në të njëjtën vendndodhje. Dhuna në Jeruzalem mes forcave izraelite të sigurisë dhe demonstruesve palestinezë u përshkallëzua një vit më parë në një luftë 11-ditore në Rripin e Gazës.

Kompleksi në kodër ku gjendet xhamia është vendi i tretë më i shenjtë për fenë islame, ndërkohë që është edhe vendi më i shenjtë për hebrenjtë, të cilët i referohen me emërtimin Mali i Tempullit. Pretendimet e palëve për këtë vend kanë shkaktuar valë të shumta dhune.

Këtë vit, muaji i shenjtë mysliman i Ramazanit, java e shenjtë e krishterë që kulmon me të djelën e Pashkës, dhe Pashka njëjavore hebraike, koinçidojnë të gjitha në të njëjtën kohë, me dhjetëra mijëra vizitorë që mblidhen në qytet pasi janë hequr tashmë pjesa më e madhe e kufizimeve për shkak të koronavirusit.

Policia izraelite i akuzoi palestinezët se "përdhosën dhe çshenjtëruan" një vend të shenjtë, ndërsa zyrtarët palestinezë akuzuan Izraelin se përpiqet ta ndajë vendin e shenjtë. "Ajo çfarë ndodhi në Xhaminë Al-Aqsa është një përshkallëzim i rrezikshëm, pasojat e të cilit do t'i mbajë vetëm qeveria e Izraelit", tha Nabil Abu Rdeneh, zëdhënës i Presidentit palestinez Mahmoud Abbas.

Policia tha se hyri në kompleks për të lehtësuar vizitat rutinë të hebrenjve në vendin e shenjtë dhe se palestinezët kishin mbledhur gurë dhe kishin ngritur barriera për dhunën që pritej.

Omer Barlev, ministri izraelit që drejton policinë, tha se ishte e rëndësishme të ruhej liria e adhurimit, "por se nuk do të bëjmë kompromise kur ndodh dhunë dhe terror".

Policia i largoi palestinezët nga sheshi jashtë xhamisë në orët e para të së djelës, ndërsa dhjetëra palestinezë qëndruan brenda godinës duke thërritur "Zoti është më i madhi". Filmime të qarkulluara nga policia tregonin grupe të vogla të rinjsh që hidhnin gurë, si dhe fishekzjarre që hidheshin nga brenda xhamisë.

Image
Palestinezët hodhën fishekzjarre drejt policisë izraelite në Jeruzalemin e vjetër (17 prill 2022)

Palestinezët njoftuan se pati përplasje të shkurtra me policinë izraelite përreth kompleksit të xhamisë, ndërsa policia tha se palestinezët kishin hedhur gurë ndaj autobusëve jashtë pjesës së vjetër të Jeruzalemit. Ekipet mjekësore të emergjencave thanë se pesë pasagjerë në autobusë kishin marrë trajtim mjekësor për lëndime të lehta nga sulmet.

Policia qarkulloi një video ku duken turma të rinjsh që godasin me gurë një autobus në hyrje të Jeruzalemit të vjetër. Një tjetër video e policisë, e filmuar nga brenda njërit prej autobusëve, tregon familjet hebreje që qëndrojnë të ulura në dyshemenë e autobusit në lëvizje.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett urdhëroi masa sigurie shtesë në autobusët publikë që shkojnë në pjesën e vjetër të qytetit pas një vlerësimi të situatës me zyrtarë të lartë të mbrojtjes.

“Po punojmë nga njëra anë për të qetësuar gjërat dhe po ndërmarrim veprime të fuqishme kundër individëve të dhunshëm nga ana tjetër”, tha ai.

Shërbimi mjekësor i Gjysmëhënës së Kuqe palestineze tha se 17 palestinezë u plagosën, pesë nga të cilët janë shtruar në spital. Policia izraelite raportoi nëntë arrestime. Në mesditë, dëshmitarët thanë se policia ishte larguar nga kompleksi.

Image
Policët izraelitë duke debatuar me besimtarët palestinezë (17 prill 2022)

Jordania, e cila shërben si kujdestare e vendit të shenjtë, bëri një deklaratë duke dënuar veprimet e Izraelit, dhe duke thënë se ato dëmtojnë "të gjitha përpjekjet e bëra për të ruajtur qetësinë gjithëpërfshirëse dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës që kërcënon sigurinë dhe paqen".

Sipas një mirëkuptimi të hershëm, hebrenjtë lejohen të vizitojnë Malin e Tempullit, por u ndalohet të luten atje. Prej dekadash, hebrenjtë kanë shmangur adhurimin aty për arsye fetare.

Autoritetet izraelite thonë se janë të përkushtuara për të ruajtur status quo-në, por vitet e fundit grupe të mëdha hebrenjsh nacionalistë dhe fetarë e kanë vizituar rregullisht vendin të shoqëruar nga policia, diçka që palestinezët e shohin si një provokim. Numri i vizitorëve shpesh rritet gjatë festave fetare. Zyrtarët palestinezë thanë se rreth 550 vizitorë hebrenj hynë në kompleks, krahasuar me vetëm disa dhjetëra në shumicën e ditëve të zakonshme.

Praktika të tilla kanë ushqyer shqetësimet mes palestinezëve se Izraeli po planifikon të marrë nën kontroll kompleksin e Xhamisë Al-Aksa ose ta ndajë atë. Izraeli i mohon me forcë pretendimet e tilla, duke thënë se është i përkushtuar të mbrojë lirinë e adhurimit për të gjithë.

Përleshjet shpërthyen në vend para agimit të së premtes, pasi policia tha se palestinezët kishin hedhur gurë drejt Murit Perëndimor, një vend i shenjtë hebre që gjendet aty pranë. Policia hyri me forca të shumta dhe u përlesh me dhjetëra palestinezë pak pas faljeve të mëngjesit.

Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor, i cili përfshin Qytetin e Vjetër, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën në luftën e vitit 1967. Palestinezët duan një shtet të ardhshëm që do të shtrihet në të tre territoret. Izraeli aneksoi Jerusalemin lindor në një lëvizje që nuk njihet ndërkombëtarisht dhe po ndërton dhe zgjeron vendbanime në Bregun e pushtuar Perëndimor. Hamasi kontrollon Gazën, e cila ka qenë nën një bllokadë izraelite dhe egjiptiane që kur grupi militant islamik mori pushtetin atje në vitin 2007.

Një grup radikal hebre u bëri thirrje njerëzve rishtazi që të sillnin kafshë në këtë vend për t'i sakrifikuar për Pashkën, duke ofruar shpërblime monetare për ata që ia dalin me sukses ose edhe që thjesht tentojnë. Policia izraelite punon për të parandaluar aktivitete të tilla, por thirrja u përhap gjerësisht nga palestinezët në mediat sociale, së bashku me thirrjet për myslimanët që të parandalojnë sakrifikimin e kafshëve.

Policia izraelite akuzoi palestinezët për përhapjen e dezinformatave në mediat sociale, duke i rritur kështu tensionet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat