​Libani dështon për herë të shtatë të zgjedhë presidentin e ri mes bllokimit politik

Azia

​Libani dështon për herë të shtatë të zgjedhë presidentin e ri mes bllokimit politik

Më: 24 nëntor 2022 Në ora: 12:14
Në seancën e votimit morën pjesë 110 deputetë të parlamentit prej 128 anëtarësh.

Ligjvënësit libanezë të enjten dështuan për të shtatën herë në zgjedhjen e një presidenti të ri, ndërsa vendi po përballet me një krizë të thelluar politike dhe ekonomike.

Në seancën e votimit morën pjesë 110 deputetë të parlamentit prej 128 anëtarësh.

Michel Moawad, një kandidat i mbështetur nga partia e Forcave Libaneze, mori 42 vota, shumë më pak se shifra e nevojshme për të fituar raundin e parë, ndërsa 50 ligjvënës hodhën vota të zbrazëta.

Kryeparlamentari Nabih Berri caktoi seancën e radhës së votimit për një javë nga tani, më 1 dhjetor.

Një kandidati ka nevojë për dy të tretat e votave (86 ligjvënës) në parlamentin prej 128 anëtarësh për të kaluar në fazën e parë, ndërsa një shumicë absolute nevojitet në raundet pasuese.

Ish-presidenti Michel Aoun u largua nga detyra më 31 tetor, pasi përfundoi një mandat gjashtë-vjeçar, pa rënë dakord ligjvënësit për një pasardhës.

Që nga viti 2019, Libani po përballet me një krizë ekonomike gjymtuese që, sipas Bankës Botërore, është një nga më të këqijat që ka parë bota në kohët moderne.

Vendi ka qenë pa një qeveri plotësisht funksionale që nga maji, me kryeministrin Najib Mikati dhe kabinetin e tij që kanë kompetenca të kufizuara në statusin e tyre aktual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat