Netanyahu shkarkon nga kabineti një aleat të rëndësishëm

Azia

Netanyahu shkarkon nga kabineti një aleat të rëndësishëm

Më: 22 janar 2023 Në ora: 20:34
Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shkarkoi të dielën një aleat të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës së Lartë dhe thelluar me tej debatin lidhur me fuqinë e gjykatave.

Zoti Netanyahu njoftoi gjatë një takimi të kabinetit se po shkarkonte Ministrin e Brendshëm dhe të Shëndetësisë, zotin Aryeh Deri. Gjykata e Lartë e Izraelit vendosi javën e kaluar që zoti Deri nuk mund të shërbente si ministër për shkak të një dënimi vitin e kaluar në lidhje me taksat.

Vendimi i gjykatës vjen ndërsa në vend egzistojnë mosmarrëveshje lidhur me pushtetin e gjyqësorit.

Qeveria e ekstremit të djathtë dëshiron që të dobësojë Gjykatën e Lartë, të kufizojë mbikëqyrjen gjyqësore dhe t'u japë më shumë pushtet politikanëve. Kritikët thonë se masa përmbys sistemin e kontrollit dhe balancës në vend dhe rrezikon bazat demokratike të Izraelit.

Sipas zyrës së tij, Kryeministri Netanyahu i tha zotit Deri se po e largonte atë nga posti me “zemër të rënduar dhe pikëllim të madh”.

“Ky vendim fatkeq nuk merr parasysh vullnetin e popullit. Unë synoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore që ju të vazhdoni të kontribuoni për shtetin e Izraelit”, i tha Kryeministri Netanyahu zotit Deri.

Aryeh Deri tha se do të vazhdojë të udhëheqë partinë e tij dhe të ndihmojë qeverinë në çuarjen përpara të planeve të saj, përfshirë reformat ligjore.

Shkarkimi i zotit Deri pritet gjithashtu të trondisë koalicionin në pushtet, një qeveri e mbështetur nga partitë ultra-nacionaliste dhe ultra-ortodokse, duke përfshirë partinë Shas të zotit Deri, e treta më e madhja në qeveri.

Ndërkohë që disa ligjvënës nga partia Shas kërcënuan se do të prishin koalicionin pas vendimit të gjykatës, qeveria pritet t'i mbijetojë mungesës së zotit Deri. Koalicioni ka gjasa që të përpiqet të hartojë një legjislacion që do t’i hapte rrugën kthimin të shpejtë të zotit Deri.

Pritet që zoti Netanyahu të emërojë një anëtar tjetër të Shas-it për të zëvendësuar zotin Deri, të paktën përkohësisht./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat