Afganistan, gazetaret gjejnë mënyra për të vazhduar transmetimet radiofonike

Azia

Afganistan, gazetaret gjejnë mënyra për të vazhduar transmetimet radiofonike

Më: 29 mars 2023 Në ora: 23:43
Afganistan

Tani që talebanët i kanë larguar gratë nga jeta publike në Afganistan, disa gazetare kurajoze qëndrojnë të angazhuara për gjetjen e mundësive për të vazhduar informimin. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Noshaba Ashna, ato thonë se puna e tyre tani është më e rëndësishme se kurrë më parë.

Tani që në Afganistan në pushtet janë talebanët, një stacion radiofonik i drejtuar nga gra, është diçka e rrallë.

Pavarësisht kufizimeve të grave në media, stacioni radiofonik Sadai Banu, që ka kuptimin, “Zëri i grave” vazhdon të transmetojë në tre provinca.

Megjithatë, kufizimet e qeverisë dhe trysia ekonomike çuan në ndërprerjen e disa programeve.

“Në të kaluarën, kishim program për 24 orë, por për shkak të problemeve ekonomike dhe mos lejimit të grave për të punuar gjatë natës, e ulëm programin në 12 orë, nga ora gjashtë e mëngjesit në gjashtë të mbrëmjes”, thotë Parween Khawari, nga radio Sadai Banu-e Balkh .

Ajo thotë se rregullat e reja ndikuan në cilësinë e punës së tyre.

“Dikur kishim më shumë emisione argëtuese. Ato kishin më shumë dëgjues. Ne nuk mund t’i ftojmë gratë të vijnë në radio për të qenë të ftuara në emisionet tona. Përveç kësaj, emisionet tona monitorohen.”

Mes rregullave që talebanët kanë vendosur ndaj grave, është dhe ai që ndalon udhëtimin e tyre pa u shoqëruar nga një i afërm mashkull. Ndonëse disa gazetareve kjo ua ka vështirësuar vazhdimin e punës, të tjera kanë gjetur një rrugëdalje.

“Nuk mund të shkoja çdo ditë në zyrë e shoqëruar nga një mashkull, të qëndroja atje dhe të drejtoja programin. Për shkak të kufizimeve, e zhvendosa radion në shtëpi dhe po e drejtoj programin nga këtu. Familja ime është ajo që po më ndihmon më së shumti”, thotë Hadia Ibrahimi nga radio Sadai Banu-e Maymana

Rregullat në skenën mediatike të Afganistanit, kanë ndryshuar, thotë mbikqyrësi ndërkombëtar i medias, “Reporterët Pa Kufij”, në kushtet kur në një të tretën e provincave nuk ka më asnjë gazetare.

Sipas kësaj organizate, nga 2,700 gra gazetare, që ishin në punë përpara se talebanët të merrnin pushtetin në Afganistan, sot kanë mbetur diçka më shumë se 600 prej tyre.

Ato që ende mund ta ushtrojnë detyrën, thonë se tani puna e tyre ka më shumë rëndësi.

“Është e qartë për të gjithë se shkollat janë mbyllur. Qendrat arsimore janë mbyllur. Prandaj, ne prodhojmë dhe transmetojmë programe edukative”, thotë Hadia Ibrahimi

Transmetimi i programeve të tilla është përparësi për stacionet radiofonike dhe audiencën e tyre pasi talebanët ndaluan vajzat e moshës 12 vjeç e lart të ndjekin shkollat dhe universitetet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat