Izraeli shemb shtëpinë e militantit palestinez

Azia

Izraeli shemb shtëpinë e militantit palestinez

Më: 24 maj 2023 Në ora: 17:02
izraeli

Vazhdon dhuna në territoret e pushtuara nga Izraeli, ndërsa autoritetet izraelite shembën shtëpinë e një palestinezi, që sipas tyre, ishte i përfshirë në sulmin e muajit mars në Tel Aviv ku një person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.

Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Izraeli, pretendon se me këto veprime dekurajon militantët palestinezë që të ndërmarrin sulme të tjera. Por palestinezët thonë se shembja e shtëpive në fakt përfaqëson ndëshkim kolektiv.

Të martën, forcat e mbrojtjes izraelite publikuan një video në të cilën ushtarët izraelitë shiheshin duke shembur shtëpinë e palestinezit Moataz Khawaja, i cili sipas autoriteteve izraelite, kreu një sulm në Tel Aviv, në muajin mars.

Izraeli, vazhdimisht, shëmb shtëpitë e individëve që i mban përgjegjës për sulme të tilla, duke thënë se kjo praktikë dekurajon militantët palestinezë që të ndërmarrin sulme të tjera të ngjashme.

Por palestinezët dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se kjo praktikë përfaqëson ndëshkim kolektiv dhe mund të lërë të pastrehë edhe ata që nuk janë pjesë të luftimeve, përfshirë fëmijët.

Në fillim të kësaj jave, administrata e Presidentit Biden kritikoi Izraelin për lëshimin e një urdhri që lejon banorët që kishin ndërtuar vendbanime në Homesh, në Bregun Perëndimor, të vendosen aty për qëndrim të përhershëm.

"Jemi thellësisht të shqetësuar për urdhrin e fundit të qeverisë që lejon qytetarët të vendosen në mënyrë të përhershme në vendbanimet në Homesh, në veri të Bregut Perëndimor, që sipas ligjeve izraeilite, u ndërtua në mënyrë të paligjshme në tokë palestineze", tha Matthew Miller , zëdhënësi i DASH.

Të hënën, u zhvillua ceremonia e varrimit të tre palestinezëve që mbetën të vrarë si pasojë e sulmit të forcave izraelite në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin e Nablusit, në Bregun Perëndimor.

Ushtria izraelite tha se kishte vrarë disa luftëtarë, kur papritur kishte nisur një betejë me armë, gjatë atij që Izraeli e cilësoi, një operacion “kundër terrorizmit”.

Një zëdhënës i Autoritetit Palestinez i cilësoi vrasjet si një “masakër të vërtetë” duke thënë se bastisjet dhe sulmet e vazhdueshme izraelite kundër vendbanuesve përbëjnë “krime të rënda lufte dhe ndëshkim kolektiv”.

Që prej pranverës së vitit 2022, nga ndëryrjet me armë të Izraelit, janë vrarë më shumë se 250 palestinezë. Ndërsa nga sulmet e palestinezëve kundër Izraelit kanë mbetur të vrarë rreth 50 vetë.

Izraeli thotë se shumica e palestinezëve të vrarë ishin militantë. Por në fakt, janë vrarë edhe të rinj që kanë qëlluar me gurë gjatë protestave kundër bastisjeve, si edhe fëmijë, të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në përleshjet mes palëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat