Hamasi, Izraeli shkëmbejnë akuza për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Azia

Hamasi, Izraeli shkëmbejnë akuza për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Më: 5 shtator 2024 Në ora: 15:57
Pas sulmeve izraelite në Khan Younis, në Rripin e Gazës (4 shtator 2024)

Grupi militant Hamas akuzoi të enjten Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu se po përpiqet të ndalë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi për luftën në Gazë, një ditë pasi zoti Netanyahu tha se Izraeli do të kombinojë trysninë ushtarake, me një qëndrim të vendosur për kërkesat që ka paraqitur.

Deklarata e Hamasit thotë se janë të panevojshme negociatat për propozimin e ri për armëpushimin, të paraqitur në korrik nga Shtetet e Bashkuara.

“Paralajmërojmë që të mos bihet pre e kurtheve dhe hileve të Netanyahut, i cili po i përdor negociatat për të zgjatur agresionin ndaj popullit tonë”, thuhet në deklaratën e Hamasit, që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për shtypin në Jeruzalem, Kryeministri Netanyahu tha të mërkurën se Izraeli pati rënë dakord për propozimet e mëparshme për armëpushimin, ndërsa Hamasi i kishte refuzuar ato.

Kryeministri Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se Izraeli duhet të vazhdojë të ketë nën kontroll Korridorin Philadelphi, një brez tokësor prej 14 kilometrash përgjatë zonës kufitare mes Egjiptit dhe Gazës.

“Për sa i përket Gazës, janë tre objektiva të luftës: Objektivi i parë ishte të shkatërroheshin kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. I dyti ishte lirimi i pengjeve tanë dhe i treti ishte të siguroheshim se Gaza nuk do të përbëjë kurrë më rrezik për Izraelin”, tha ai. “Dhe të treja këto objektiva arrihen nëpërmjet kontrollit të Izraelit mbi Korridorin Philadelphi”.

Në Uashington, një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden u tha gazetarëve të mërkurën se negociatat për armëpushimin vazhdojnë dhe se marrëveshja është “pothuajse e përfunduar”, me përjashtim të dy pikave të mbetura – se cilët të burgosur palestinezë do të lirohen në këmbim të pengjeve të mbetura gjallë, si dhe në lidhje me praninë e forcave izraelite gjatë fazës së parë të marrëveshjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat