India ka miratuar planet për të ndërtuar dy nëndetëse sulmuese me energji bërthamore, kanë njoftuar dy zyrtarë të mbrojtjes, në një projekt që vlerësohet të kushtojë rreth 5.4 miliardë dollarë.
Bëhet e ditur se India po përpiqet të modernizojë ushtrinë e saj duke u fokusuar në rritjen e aftësive detare dhe përmirësimin e kapacitetit vendas të prodhimit të armëve.
Kabineti i kryeministrit Narendra Modi dha miratimin për dy nëndetëset e para të një klase të re prej gjashtë që Marina Indiane planifikon të bëjë.
Megjithatë, ende nuk dihet data e dorëzimit të tyre, shkruan Reuters.
Më të shpejta, më të qeta dhe të afta për qëndrime më të gjata nënujore sesa mjetet konvencionale me naftë, gjë që i bën ato më të vështira për t’u zbuluar, nëndetëset sulmuese me energji bërthamore renditen ndër armët detare më të fuqishme në botë.
Vetëm një pjesë e vogël e kombeve i ndërtojnë ato tani, si Kina, Franca, Rusia dhe SHBA-ja.
Siç raportohet, nëndetëset do të ndërtohen në qendrën e ndërtimit të anijeve të qeverisë në portin jugor të Indisë, Visakhapatnam.
Ato do të jenë të ndryshme nga nëndetëset me energji bërthamore të klasit Arihant që India po ndërton tani, të afta për të lëshuar armë bërthamore, e dyta prej të cilave u vu në punë në gusht.