Japonia do të rris shpenzimet e mbrojtjes për 2%, duke arritur vlerën 70 miliardë dollarë

Azia

Japonia do të rris shpenzimet e mbrojtjes për 2%, duke arritur vlerën 70 miliardë dollarë

Më: 15 prill 2025 Në ora: 23:21
Foto ilustrim

Japonia do të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen në 2% të produktit të brendshëm bruto (PBB) deri në vitin 2027 dhe planifikon të shpenzojë rreth 70 miliardë dollarë për mbrojtje gjatë vitit fiskal aktual, njoftoi të martën ministri i Mbrojtjes, Gen Nakatani.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Nakatani tha se qeveria do të alokojë afërsisht 8.5 trilionë jen (rreth 59 miliardë dollarë) për buxhetin e mbrojtjes dhe edhe 1.5 trilionë jen (10.4 miliardë dollarë) për shpenzime të tjera të lidhura me mbrojtjen në buxhetin fillestar për vitin fiskal që fillon këtë muaj, raportoi agjencia Kyodo News.

Japonia, e cila ka ndjekur një kushtetutë pacifiste që nga viti 1947, historikisht e ka kufizuar buxhetin e saj të mbrojtjes në rreth 1% të PBB-së, ose afërsisht 5 trilionë jen (34.8 miliardë dollarë).

Si ekonomia e katërt më e madhe në botë, pritet që PBB-ja e Japonisë të arrijë rreth 4.69 trilionë dollarë deri në fund të vitit, shkruan agjencia turke e lajmeve AA, transmeton KosovaPress.

Gjatë viteve të fundit, Tokio ka rritur gradualisht shpenzimet për mbrojtje për shkak të tensioneve në rritje në rajon, veçanërisht përballë ndikimit gjithnjë në zgjerim të Kinës dhe shqetësimeve të vazhdueshme të sigurisë që lidhen me Korenë e Veriut. Vendi ka vendosur si objektiv arritjen e shpenzimeve për mbrojtje në nivelin 2% të PBB-së deri në vitin 2027.

Ky njoftim nga ministri i Mbrojtjes vjen në një kohë kur Japonia përballet me presion nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili u ka bërë thirrje aleatëve, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe NATO-n, të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre dhe për kostot e strehimit të forcave amerikane.

Së fundmi, nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikën, Elbridge Colby, gjithashtu i ka kërkuar Japonisë të rrisë shpenzimet për mbrojtje në 3% të PBB-së.

Ndërkohë, Tokio i ka propozuar Pentagonit një strategji të re sigurie të njohur si “qasja me një teatër të vetëm”, sipas gazetës Asahi Shimbun.

Kjo qasje, e paraqitur Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Pete Hegseth gjatë vizitës së tij më 30 mars në Tokio, ku u takua me Nakatani-n, do të zgjerojë ndjeshëm zonën gjeografike ku Forcat Vetëmbrojtëse të Japonisë mund të veprojnë.

Kjo strategji parashikon trajtimin e Detit të Kinës Lindore, Detit të Kinës Jugore, Gadishullit Korean dhe rajoneve përreth si një teatër të vetëm ushtarak, sipas raportit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat