Shërbimet ajrore drejt ishullit indonezian të Balit u ndërprenë të mërkurën pas një shpërthimi të një vullkani në pjesën lindore të vendit, shkruan Anadolu, transmeton KosovaPress.
Ndërprerja pasoi shpërthimin e së martës të Malit Lewotobi Laki-Laki në rajonin Nusa Tenggara Lindore, me një kolonë hiri prej 11 kilometrash mbi nivelin e detit.
Disa kompani ajrore anuluan fluturimet drejt Balit për shkak të aktivitetit vullkanik, sipas The Jakarta Globe, duke cituar faqen zyrtare të aeroportit ndërkombëtar në Bali.
Ndër to ishin Jetstar dhe Virgin Australia, të cilat pezulluan fluturimet drejt disa qyteteve australiane, si dhe Air India, Air New Zealand, kompania Scoot nga Singapori dhe Juneyao Airlines nga Kina.
Vullkani, që ndodhet në ishullin turistik Flores, në lindje të Balit, kishte ngritur nivelin e alarmit në nivelin më të lartë (katër) të hënën, sipas Qendrës për Vullkanologji dhe Zbutjen e Rreziqeve Gjeologjike.
Indonezia, pjesë e Unazës së Zjarrit të Paqësorit, është një nga vendet më aktivë në botë nga ana sizmike, me 130 vullkane aktive.