Ministri i Jashtëm i Iranit është duke zhvilluar bisedime me diplomatët kryesorë evropianë në Gjenevë të premten, lidhur me shqetësimet për programin bërthamor të Teheranit, i cili para një jave nxiti një luftë përshkallëzuese mes Izraelit dhe Iranit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti në një hotel në qytetin zviceran për takimin me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Ky është takimi i parë ballë për ballë midis zyrtarëve perëndimorë dhe atyre iranianë që nga fillimi i konfliktit më 13 qershor.
Para takimit, Araghchi tha se vendi i tij “nuk ka asgjë për të biseduar” me Shtetet e Bashkuara për sa kohë Izraeli i vazhdon bombardimet ndaj Iranit, por shtoi se është i hapur për “dialog” me të tjerët, megjithëse jo për negociata.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha se “ka një mundësi që gjatë dy javëve të ardhshme të arrihet një zgjidhje diplomatike”.
Ai udhëtoi drejt Gjenevës pas një takimi në Uashington me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe të dërguarin e presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Trump është duke shqyrtuar mundësinë se a ta sulmojë Iranin, më saktësisht ndërtesën për pasurimin e uraniumit në Fordo, i cili është i mbrojtur mirë, i vendosur nën një mal dhe thuhet se është i paarritshëm nga armët tjera përveç bombave të veçanta amerikane “bunker-buster”.
Trump tha të enjten se do të vendosë brenda dy javësh nëse ushtria amerikane do të përfshihet drejtpërdrejt në luftë, duke pasur parasysh “mundësinë e konsiderueshme” për rinisjen e negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se diplomatët evropianë do t’i bëjnë Iranit një “ofertë gjithëpërfshirëse, diplomatike dhe teknike për negociata”.
Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të parandalojë armikun e përbetuar nga krijimi i armëve bërthamore.
Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.
Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 657 njerëz në Iran, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga sulmet iraniane.
Izraeli ka shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar Qeverinë dhe udhëheqësin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe rajonalë.
“A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e vet”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten.
Irani ka thënë se ka shënjestruar objekte ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen në Izrael, megjithëse po ashtu ka goditur një spital dhe disa caqe të tjera civile./REL