​Pamje e foto të rreme AI nga konflikti Izrael-Iran u përhapën në internet

Azia

​Pamje e foto të rreme AI nga konflikti Izrael-Iran u përhapën në internet

Më: 21 qershor 2025 Në ora: 16:34
​Pamje e foto të rreme AI nga konflikti Izrael-Iran u përhapën në internet

Qe nga fillimi i konfliktit midis Izraelit dhe Iranit javën e kaluar, interneti është mbushur me dezinformata. Këto përfshijnë një numër videosh të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që lartësojnë aftësitë ushtarake të Iranit, si dhe pamje të rreme të sulmeve të dyshuara ndaj objektivave izraelite.

Tri videot e tilla më të shikuara, të identifikuara nga BBC Verify si të rreme, kanë fituar së bashku më shumë se 100 milionë shikime.

Llogaritë pro-Izrael kanë përhapur dezinformata, kryesisht duke ndarë pamje të vjetra të protestave dhe tubimeve në Iran, duke pretenduar në mënyrë të rreme se tregojnë pakënaqësi në rritje me regjimin.

Një organizatë analize me burime publike e përshkroi sasinë e dezinformimit në internet si "të habitshme" dhe akuzoi të ashtuquajturit "gjuetarë klikimesh" se po përpiqen të përfitojnë nga konflikti.

"Po shohim gjithçka, nga pamjet e palidhura nga Pakistani, te videot e ricikluara të sulmeve të tetorit 2024, disa prej të cilave kanë fituar më shumë se 20 milionë shikime, te klipet e video-lojërave dhe përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale që paraqiten si ngjarje të vërteta", raportoi grupi i verifikimit të fakteve Geoconfirmed në platformën iks.

Llogaria pro-iraniane Daily Iran Military, rriti numrin e ndjekësve të saj në iks nga 700 mijë në 1.4 milionë midis 13 dhe 19 qershorit, një rritje prej 85 për qind. Kjo është vetëm një nga një numër llogarish të panjohura që kohët e fundit kanë filluar t'u shfaqen përdoruesve.

Kjo valë dezinformimi shënon, sipas Emmanuelle Saliba, "rastin e parë të përdorimit masiv të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë një konflikti të armatosur".

Llogaritë e analizuara nga BBC Verify kanë ndarë shpesh imazhe të gjeneruara nga AI që synojnë ekzagjerimin e efektivitetit të përgjigjes së Iranit ndaj sulmeve izraelite. Një imazh i tillë, i cili është parë 27 milionë herë, tregon dhjetëra raketa që dyshohet se bien mbi Tel Aviv. Saliba thotë se pamje të tilla janë të vështira për t'u verifikuar pasi tregojnë ngjarje natën.

Përmbajtja e rreme e AI shpesh përqendrohet në rrëzimet e dyshuara të avionëve luftarakë izraelitë F-35. Nëse klipet e shumta do të ishin të vërteta, Irani do të kishte shkatërruar 15 për qind të flotës izraelite F-35, sipas analistes Lisa Kaplan të Alethea Group. Megjithatë, asnjë pamje e rrëzimit F-35 nuk është konfirmuar autentike.

Një video e shpërndarë gjerësisht pretendon të tregojë një avion luftarak të dëmtuar të rrëzuar në shkretëtirën iraniane. Por shenjat e manipulimit të inteligjencës artificiale janë të qarta - njerëzit përreth avionit ishin të njëjtës madhësi me automjetet dhe nuk kishte shenja ndikimi në rërë.

Një video tjetër në TikTok, pretendon të tregojë avionë izraelitë F-35 duke rrëzuar një sistem iranian të mbrojtjes ajrore, por në të vërtetë janë pamje nga një simulator fluturimi. TikTok hoqi më pas videon. Kaplan thotë se fushata kundër F-35 ka të ngjarë të jetë pjesë e operacioneve të ndikimit rus.

Pamjet e rreme po ndahen edhe nga burime zyrtare. Për shembull, televizioni shtetëror iranian tregoi pamje të rreme të sulmit dhe një imazh AI të një F-35 të rrëzuar, ndërsa një video e ndarë nga ushtria izraelite u raportua në X pasi në të vërtetë ishin pamje të vjetra të sulmeve me raketa.

Shumica e dezinformatave të analizuara nga BBC Verify u nda në vetë platformën X, me shumë përdorues që iu drejtuan chatbot-it të AI, Grok, për të verifikuar besueshmërinë e postimeve. Në disa raste, Grok pretendoi se videot e AI ishin të vërteta, raporton kp.

Një e tillë tregon një seri kamionësh që nxjerrin raketa balistike nga një kompleks nëntokësor. Sipas Salibas, videoja tregon shenja tipike të gjenerimit me AI, për shembull, shkëmbinj që lëvizin vetë. Pavarësisht kësaj, Grok pretendoi se pamjet filmike ishin autentike dhe citoi raportet e mediave si Newsweek. Në përgjigje të shumta, ai përfundoi: "Kontrolloni burime të besueshme për qartësi shtesë."

Kujtojmë, Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor, të ndjekura nga një seri sulmesh iraniane me raketa dhe dronë në territorin izraelit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat