Të shtunën, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer sulme ajrore ndaj disa objektivave ushtarake iraniane në vende të ndryshme brenda territorit të Iranit. Sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), janë goditur depo të dronëve dhe një objekt për prodhimin e armëve në zonën e Bandar Abbasit, në jugperëndim të Iranit.
Gjithashtu, janë shkatërruar tre avionë luftarakë F-14 të forcave ajrore iraniane në një bazë ushtarake në qendër të vendit. Këta avionë janë të vetmit të këtij lloji që ende operohen nga ndonjë vend, pasi SHBA i hoqi nga përdorimi në vitin 2006, raporton CNN.
Izraeli ka sulmuar gjithashtu sisteme radarësh ushtarakë dhe bateri të mbrojtjes ajrore në perëndim të Iranit, në përpjekje për të siguruar epërsi ajrore në hapësirën ajrore iraniane, tha zëdhënësi i IDF, Ephraim Defrin.
Ai shtoi se kjo epërsi ka lejuar goditjen e qendrave komanduese të raketave, infrastrukturës së dronëve dhe tuneleve të nisjes së raketave që janë përdorur kundër territorit izraelit.