​Irani pranon se ka pësuar dëme, por thotë se njohuritë e tij bërthamore s’mund të shkatërrohen

Azia

​Irani pranon se ka pësuar dëme, por thotë se njohuritë e tij bërthamore s’mund të shkatërrohen

Më: 22 qershor 2025 Në ora: 16:16
Behrouz Kamalvandi

Irani pranoi sot se ka pësuar dëme nga sulmet e fundit amerikane ndaj bazave kryesore bërthamore, por tha se njohuritë e tij mbi teknologjinë bërthamore nuk mund të shkatërrohen.

"Sigurisht që kemi pësuar dëme, por kjo nuk është hera e parë që industria ka pësuar dëme. Duhet të dihet se kjo industri ka rrënjë në vendin tonë dhe se rrënjët e kësaj industrie kombëtare nuk mund të shkatërrohen", tha Behrouz Kamalvandi, zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Shtetet e Bashkuara kryen një sulm ndaj tri objekteve bërthamore iraniane - Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Gjashtë bombardues të fshehtë B-2 Spirit hodhën gjithsej 12 bomba GBU-57 për shkatërrimin e bunkerëve në kompleksin nëntokësor ultra të fortifikuar Fordow, ndërsa nëndetëset amerikane qëlluan 30 raketa lundrimi në objektet në Natanz dhe Isfahan.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se objektet ishin "shkatërruar plotësisht", ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike raportoi se nuk kishte nivele të larta rrezatimi në vendet e prekura.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se sulmet ushtarake amerikane ishin një sukses i pabesueshëm dhe i madh që shkatërroi ambiciet bërthamore të Teheranit, raporton KosovaPress.

"Ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar", u tha Hegseth gazetarëve në një konferencë shtypi, duke shtuar se sulmet nuk kishin për qëllim forcat ushtarake iraniane, civilët apo ndryshimin e regjimit.

"Ky mision nuk ishte dhe nuk ka qenë për ndryshimin e regjimit", u tha Hegseth gazetarëve në Pentagon. "Presidenti autorizoi një operacion preciz për të neutralizuar kërcënimin për interesat tona kombëtare që paraqet programi bërthamor i Iranit".

"Operacioni që presidenti Trump ka planifikuar ishte i guximshëm dhe i shkëlqyer. Kur ky president flet, bota duhet të dëgjojë", tha ai.

Operacioni “Çekani i Mesnatës", u nis nga gjenerali i lartë amerikan Dan Caine. Sulmet përdorën 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë ushtarakë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat