Irani refuzon negociatat për programin e tij bërthamor, Pezeshkian: Sjellin pasoja negative për vendin

Azia

Irani refuzon negociatat për programin e tij bërthamor, Pezeshkian: Sjellin pasoja negative për vendin

Më: 28 shtator 2025 Në ora: 21:39
Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian

Presidenti i ri i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka refuzuar çdo mundësi për negociata të reja mbi programin bërthamor iranian që, sipas tij, mund të krijojnë “probleme dhe vështirësi të reja” për vendin. Deklarata vjen pas rivendosjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Republikës Islamike.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të marrim pjesë në një dialog të arsyeshëm, të drejtë dhe të barabartë që bazohet në kritere të qarta, por nuk do të pranojmë kurrë negociata që do të sjellin pasoja të reja negative për vendin,” tha Pezeshkian, sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA.

Rivendosja e sanksioneve erdhi pas dështimit të bisedimeve për të rifilluar marrëveshjen bërthamore dhe për të kufizuar programin atomik të Teheranit. Masat përfshijnë embargo të armëve dhe ndëshkime ekonomike, të cilat rifilluan të hyjnë në fuqi më 2 të mëngjesit (me orën lokale të Shqipërisë).

Pavarësisht zhvillimeve, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane theksuan se dyert e diplomacisë nuk janë mbyllur, ndërsa tensionet me Iranin vijojnë të mbeten të larta.

Çështja e programit bërthamor iranian ka qenë një pikë e nxehtë përplasjesh mes Teheranit dhe Perëndimit, ndërsa Izraeli dhe vendet perëndimore dyshojnë se Irani synon ndërtimin e një arme bërthamore, diçka që Irani e mohon kategorikisht, duke këmbëngulur në të drejtën për përdorim paqësor të energjisë bërthamore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat