Prokuroria kërkon dënim me vdekje për ish-presidentin e Koresë së Jugut

Azia

Prokuroria kërkon dënim me vdekje për ish-presidentin e Koresë së Jugut

Më: 13 janar 2026 Në ora: 17:47
Ish-presidenti Yoon Suk Yeol

Prokuroria e Koresë së Jugut ka kërkuar që ish-presidenti Yoon Suk Yeol të dënohet me vdekje, nëse shpallet fajtor për përpjekjen e dështuar për të vendosur ligjin ushtarak në dhjetor të vitit 2024. 

Gjatë seancës përfundimtare në një gjykatë në Seul, prokurorët e përshkruan Yoon si “organizatorin kryesor të një kryengritjeje”, akuza më e rëndë me të cilën ai përballet, raporton BBC. Sipas ligjit të Koresë së Jugut, drejtimi i një kryengritjeje dënohet vetëm me burgim të përjetshëm ose me vdekje, dhe prokuroria është e detyruar të kërkojë njërin prej këtyre dënimeve. 

Çështja lidhet me vendimin e Yoon për të shpallur ligjin ushtarak më 3 dhjetor 2024, një masë që zgjati vetëm disa orë, por që e futi vendin në një krizë të thellë politike. Pas këtij veprimi, ai u shkarkua nga Parlamenti dhe u arrestua për t’u përballur me drejtësinë. 

Yoon i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se shpallja e ligjit ushtarak ishte thjesht një gjest simbolik për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj shkeljeve të partisë opozitare. 

Megjithatë, prokurorët argumentojnë se, edhe pse nuk pati viktima, qëllimi i Yoon ishte i dhunshëm. Si prova, ata paraqitën dëshminë e një komandanti ushtarak, i cili deklaroi se kishte marrë urdhër për arrestimin e ligjvënësve. 

Gjithashtu, u përmend një memo e hartuar nga një ish-oficer ushtarak, pjesë e planifikimit të ligjit ushtarak, ku flitej për “eliminimin” e qindra personave, përfshirë gazetarë, aktivistë sindikalë dhe deputetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat