Më shumë se 50 mijë persona janë arrestuar në Iran në lidhje me valën e protestave antiqeveritare, njoftoi sot organizata joqeveritare Human Rights Activists News Agency (HRANA), duke theksuar se represioni shtetëror në vend vijon pa ndërprerje.
Sipas HRANA-s, e cila më herët kishte raportuar për mbi 42 mijë arrestime, numri i të ndaluarve është rishikuar në rritje në të paktën 50.235 persona, të arrestuar që nga shpërthimi i protestave në fund të dhjetorit dhe kulmimi i tyre më 8 dhe 9 janar. Demonstratat u shtypën me dhunë nga autoritetet iraniane në fillim të janarit.
Autoritetet në Teheran kanë pranuar se mijëra persona kanë humbur jetën gjatë trazirave, por pretendojnë se shumica e viktimave ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë, të vrarë nga grupe që i cilësojnë si “terroriste”, të lidhura sipas tyre me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
HRANA raporton se arrestimet kanë pasur në shënjestër “një spektër të gjerë qytetarësh”, kryesisht studentë, shkrimtarë dhe mësues. Sipas organizatës, në disa raste ndalimet janë shoqëruar me kontrolle në banesa dhe konfiskim të sendeve personale.
Po ashtu, janë dokumentuar mbi 300 raste të ashtuquajtura “rrëfime të detyruara”, të transmetuara nga televizioni shtetëror iranian. Edhe Amnesty International ka ngritur alarmin për arrestimin e mijëra personave, përfshirë edhe fëmijë.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, të arrestuarit përballen me “rrezik serioz të zhdukjeve me forcë, torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit, vdekjes në paraburgim si dhe ekzekutimeve arbitrare pas gjyqeve që nuk përmbushin standardet minimale të drejtësisë”.
Në këtë klimë, kreu i pushtetit gjyqësor iranian, Gholamhossein Mohseni-Ejei, paralajmëroi sot se nuk do të ketë “asnjë tolerancë” ndaj personave të përfshirë në protesta. Prokuroria ka sqaruar se disa prej të arrestuarve përballen me dënime të rënda, që në disa raste mund të arrijnë deri në dënimin me vdekje.
Ndërkohë, të dielën u arrestua edhe regjisori iranian Mehdi Mahmoudian, bashkë-skenarist i filmit “Një aksident i thjeshtë”, fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës 2025. Sipas agjencisë iraniane Fars, ai u ndalua së bashku me liderin studentor Abdollah Momeni dhe gazetaren e aktivisten për të drejtat e grave, Vida Rabbani, nën dyshimin se kishin ndihmuar në hartimin e një deklarate kritike ndaj pushtetit.
Deklarata, e nënshkruar nga mbi një duzinë disidentësh, e përshkruan represionin shtetëror si një “krim kundër njerëzimit”, sipas fondacionit të aktivistes Narges Mohammadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, e cila ndodhet në burg që nga dhjetori.