Kim Jong Un emëron vajzën e tij si trashëgimtare të pushtetit në Korenë e Veriut

Azia

Kim Jong Un emëron vajzën e tij si trashëgimtare të pushtetit në Korenë e Veriut

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 13:33
Kim Jong Un dhe vajza e tij, Kim Ju Ae

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut vlerëson se Kim Jong Un ka orientuar vajzën e tij, Kim Ju Ae, drejt trashëgimisë së pushtetit në Korenë e Veriut.

Agjencia e bazon këtë përfundim në praninë e shtuar të saj në aktivitete zyrtare dhe në ekspozimin e vazhdueshëm në mediat shtetërore. Së fundmi, ajo shoqëroi të atin në Pekin, në udhëtimin e saj të parë të dokumentuar jashtë vendit.

Inteligjenca njofton se do të ndjekë nëse Kim Ju Ae do të marrë pjesë në kongresin e Partisë së Punës, që zhvillohet çdo pesë vjet dhe përbën ngjarjen më të rëndësishme politike në vend. Në këtë forum, udhëheqja përcakton drejtimet për politikën e jashtme, strategjinë ushtarake dhe programin bërthamor për pesë vitet e ardhshme.

Kim Ju Ae është fëmija i vetëm i njohur publikisht i Kim Jong Un dhe bashkëshortes së tij, Ri Sol Ju. Shërbimi jugkorean beson se lideri ka edhe një djalë më të madh, por ai nuk është shfaqur ndonjëherë në publik apo në mediat zyrtare.

Emri i saj u bë i njohur në vitin 2013, kur basketbollisti amerikan Dennis Rodman deklaroi për një gazetë britanike se kishte mbajtur në krahë foshnjën gjatë një vizite në Korenë e Veriut. Në vitin 2022, televizioni shtetëror transmetoi për herë të parë pamje të saj gjatë një inspektimi të një rakete balistike ndërkontinentale, ku ajo qëndronte pranë të atit.

Prej atëherë, ajo shfaqet rregullisht në aktivitetet shtetërore. Në Pekin, ajo mori pjesë në një paradë të madhe ushtarake dhe u pa duke zbritur nga treni i blinduar i liderit në stacionin hekurudhor të kryeqytetit kinez.

Pushteti në Korenë e Veriut ka kaluar në tre breza të familjes Kim. Vlerësimi i fundit i inteligjencës jugkoreane sugjeron se kjo vijë trashëgimie mund të vazhdojë me Kim Ju Ae, edhe pse mbeten pikëpyetje për shkak të strukturës tradicionale patriarkale të shoqërisë koreano-veriore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat