Të burgosurit nga burgu Evin evakuohen në një vend të panjohur

Azia

Të burgosurit nga burgu Evin evakuohen në një vend të panjohur

Më: 3 mars 2026 Në ora: 15:49
Burgu Evin në Teheran.

Bashkëshortja e Mustafa Mohammad Hassan, një student i burgosur në burgun famëkeq Evin në Teheran, njoftoi për evakuimin e të burgosurve nga reparti 209, ku mbahen shumica e të burgosurve politikë.

“Reparti 209 i Burgut Evin është evakuuar dhe të burgosurit janë transferuar në një vend të panjohur. Të burgosur të tjerë, përfshirë të burgosur politikë dhe persona të dënuar për krime financiare, ndodhen ende në repartin 7”, shkroi ajo në platformën X më 3 mars.

Ajo raportoi gjithashtu se forcat e Njësisë Kundër Terrorizmit janë larguar nga burgu dhe janë vendosur në ndërtesat përreth.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Bashkëshortja e Hassanit ka bërë thirrje për vëmendje urgjente, duke paralajmëruar për një “katastrofë humanitare” të mundshme në lidhje me të burgosurit.

Hassan, student pasuniversitar në departamentin e Filozofisë së Shkencës në Universitetin e Teknologjisë Sharif, u paraburgos në fillim të shkurtit.

Më 1 mars, Fondacioni Narges Mohammadi, i emëruar sipas aktivistes së burgosur për të drejtat e njeriut dhe fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, shprehu edhe një herë shqetësim të thellë për situatën e rrezikshme në të cilën ndodhen të burgosurit politikë dhe protestuesit e ndaluar në burgjet iraniane, pas sulmeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat