Shkalla e plotë e lëndimeve të Mojtaba Khamenei, udhëheqësit të ri suprem të Iranit, pas sulmeve të luftës mbetet e paqartë, megjithatë raportohet se ka thyer këmbën dhe se ka pësuar lëndime në fytyrë pas valës së parë të sulmeve izraelite.
Grupet opozitare në diasporë pretendojnë se Khamenei ndodhet në koma dhe po trajtohet në fshehtësi të madhe në spital, pa qenë i vetëdijshëm për ngritjen e tij në postin suprem. Mungesa e çdo fotografie, videoje apo komunikimi ka shkaktuar spekulime se Asambleja e Ekspertëve mund të ketë zgjedhur një “kukull kartoni” ose një person të vdekur për të drejtuar vendin, sipas The Guardian, transmeton KosovaPress. Ministria e Jashtme izraelite publikoi një fotografi të tij si kukull kartoni me mbishkrimin: “Mund të rrish në fshehtësi, por regjimet e kartonit shemben”.
Sulmet shkaktuan vdekjen e pjesëtarëve të familjes së tij, përfshirë babanë Ayatollah Ali Khamenei, nënën, bashkëshorten Zahra Haddad-Adel, një nga djemtë, motrën, dhëndrin dhe një mbesë. Nëntë ditë pas sulmit, nëna e tij ndërroi jetë nga plagët. E gjithë zyra e udhëheqësit suprem u shkatërrua, duke lënë gjurmë të thella emocionale dhe fizike.
Yousef Pezeshkian, këshilltar qeveritar dhe djali i presidentit të Iranit, kishte thënë të mërkurën se Mojtaba Khamenei është “i sigurt dhe në gjendje të mirë”, pavarësisht plagëve të marra gjatë luftës.