Kryeministri dhe ministrat shpëtojnë pa lëndime, ndërsa disa persona të tjerë mbeten të plagosur nga sulmi i rebelëve Huthi në qytetin port të Adenit.
Dy pjesëtarë të personelit të sigurisë janë vrarë pas një sulmi me raketa balistike nga rebelët Huthi ndaj pallatit presidencial në Aden, në jug të Jemenit, ku ndodhet selia e qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht.
Ministri i Informacionit i Jemenit, Moammar al-Eryani, deklaroi për BBC-në se kryeministri dhe disa ministra të tjerë i shpëtuan sulmit pa lëndime. Megjithatë, nga goditja e pesë raketave balistike ndaj Pallatit al-Maashiq, disa persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ndërkohë, mediat nën kontrollin e Huthëve raportuan se objektiv i sulmit ishte një “seli për operacione ushtarake të komanduar nga oficerë sauditë”, si dhe depo armësh.
Qeveria jemenase mbështetet nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili ofron edhe mbështetje ajrore për ofensivën e forcave pro-qeveritare kundër rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani.
Sulmi në Aden vjen në kuadër të përshkallëzimit të përplasjeve mes palëve. Huthët kanë ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj aeroporteve, objekteve të naftës dhe gazit, si dhe bazave ushtarake në Arabinë Saudite, duke i paraqitur ato si hakmarrje për sulmet ndaj zonave nën kontrollin e tyre në Jemenin perëndimor, përfshirë kryeqytetin Sanaa.
Sipas raportimit, të shtunën, 13 persona u vranë në një sulm me raketa nga Huthët ndaj aeroportit ndërkombëtar në Riad, në Arabinë Saudite.