Rreth 50 fëmijë mbetën të plagosur në Peshavar, pasi reshjet e dendura të shiut dobësuan strukturën e ndërtesës. Presidenti pakistanez kërkon hetim gjithëpërfshirës për shkaqet e tragjedisë.
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur të enjten në veri të Pakistanit, ku 33 fëmijë dhe një mësues humbën jetën pasi çatia e një shkolle u shemb, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas autoriteteve, reshjet e dendura të shiut gjatë natës e bënë të paqëndrueshme çatinë e një ndërtese dykatëshe në shkollën publike “Al Khair”, në qytetin e Peshavarit, e cila më pas u shemb.
Bilal Ahmed, nga shërbimet lokale të shpëtimit, i tha CNN-it se moti i keq kishte ndikuar në stabilitetin e ndërtesës.
Sipas Spitalit “Lady Reading” në Peshavar, ku u dërguan viktimat, fëmijët që humbën jetën ishin të moshës nga gjashtë deri në 14 vjeç. Në mesin e viktimave është edhe një grua 25-vjeçare.
Rreth 50 fëmijë të tjerë mbetën të plagosur. Disa prej tyre vazhdojnë të jenë nën vëzhgim mjekësor.
Operacionet e shpëtimit vijuan deri pasditen e së enjtes dhe përfunduan pasi të gjithë personat e bllokuar nën rrënoja u nxorën jashtë, sipas shërbimeve të emergjencës.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi tronditëse” dhe kërkoi një hetim gjithëpërfshirës për të përcaktuar shkaqet e shembjes.
Shembjet e ndërtesave mbeten një problem i përsëritur në Pakistan, ku standardet e ndërtimit shpesh nuk zbatohen siç duhet dhe disa struktura ndërtohen me materiale që nuk përmbushin kërkesat e sigurisë.
Kjo tragjedi vjen vetëm pak javë pas një zjarri në një spital në kryeqytetin Islamabad, ku humbën jetën të paktën 14 të porsalindur. Ngjarja shkaktoi zemërim të gjerë dhe u pasua nga disa arrestime.
Ndërkaq, në korrik, shembja e çatisë së një qendre mësimore në ndërtim e sipër, në qytetin e Lahores, shkaktoi vdekjen e të paktën 14 nxënësve.