Pasiguri rreth evakuimit në Aleppo

Azia

Pasiguri rreth evakuimit në Aleppo

Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 14:35
Aleppo, Siri

Autobusët dhe autoambulancat janë të gatshme të evakuojnë njerëzit nga zonat e mbetura nën kontroll të kryengritësve në Aleppo të Sirisë. Por, për të dytën ditë me radhë ka pasur një pasiguri nëse plani do të vazhdojë siç është rënë dakord.

Ata që kanë nevojë për ndihmë mjekësore do të ishin të parët që evakuohen nga pjesa lindore e Aleppo-s, të cilën opozita e kishte marrë nën kontroll në vitin 2012, ndërsa civilët tjerë dhe luftëtarët kryengritës do të evakuoheshin më vonë.

Aktivistët dhe zyrtarët mjekësorë lokal kanë njoftuar se forcat pro qeveritare qëlluan mbi një ambulancë që u përpoq të largohej nga territori i mbajtur nga kryengritësit, duke plagosur të paktën tre persona.

Rishfaqja e dhunës ishte një nga arsyet për shtyrjen e evakuimit që ishte paraparë të fillonte të mërkurën, pasi të dyja palët e konfliktit fajësuan njëra tjetrën për shkeljen e një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia.

Largimi përfundimtar i kryengritësve nga Aleppo do të shënojë një fitore të madhe për presidentin sirian Bashar al-Asad. Forcat e tij kanë ndërmarre një fushatë ushtarake të mbështetur nga Rusia, e cila qe përshpejtuar në javët e fundit.

Vitet e luftimeve dhe një rrethim i qeverisë në Aleppo e kanë lënë pjesën më të madhe të qytetit në rrënoja dhe kanë nxitur alarmin nga grupet e komunitetit dhe të ndihmës ndërkombëtare, të cilët janë të shqetësuar për shkak të mijëra njerëzve që kanë nevojë për ushqim dhe kujdes mjekësor.

Komisionari i të drejtave të njeriut në OKB, Zeid Raad al-Hussein, tha se rifillimi i luftimeve të mërkurën herët ishte tmerrues dhe se sipas tij rifillimi i bombardimeve tejet të rënda nga forcat qeveritare siriane dhe aleatët e tyre në një zonë të mbushur me civilë, me shumë gjasë përbën krime lufte.

Zeid kërkoi nga qeveria siriane të japë ndihmë mjekësore për banorët e Aleppos të plagosur gjatë bombardimeve, siç kërkon ligji ndërkombëtar, dhe tha se “mënyra se si u tërhoq kjo marrëveshje para kësaj popullate të goditur dhe të rrethuar, duke i bërë ata të shpresojnë se mund të jetojnë për të parë një ditë tjetër dhe pastaj duke ua rrëmbyer këtë shpresë vetëm gjysmë dite më vonë, është jashtëzakonisht mizore”.

Vezhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup me bazë në Britani që mbledh raportet për luftën e zgjatur civile, tha se kishte përleshje shumë të forta në çdo front, si në pjesët e kontrolluara nga kryengritësit ashtu edhe ne ato të kontrolluara nga qeveria, ku pati viktima në të dyja anët.

Anëtarët e grupit kryengritës, Nureddin al-Zinki, i thanë agjencisë franceze të lajmeve se marrëveshja e re për armëpushim ishte arritur përmes negociatave mes ushtrisë ruse, e cila është duke luftuar në anën e qeverisë siriane, dhe të Organiztës turke të Gjysmëhënës së Kuqe.

Raporte të tjera njoftojnë se Irani, një tjetër mbështetës i madh i regjimit të Asadit, ka mbajtur peng marrëveshjen e re për armëpushim derisa kishte marrë garanci se evakuimet nga Aleppo do të kryhen njëkohësisht me shpëtimin e njerëzve të plagosur në dy fshatra shiite të rrethuara nga forcat kryengritëse.

Abdul Salaam Abdul Razak, një zëdhënës ushtarak i grupit “Nureddin al-Zinki”, tha se evakuimet nga fshatrat në provincën Idlib u konfirmuan të mërkurën, duke siguruar se eksodi nga pjesa lindore e Aleppo-s mund të fillojë në agimin e së enjtes.

Një zyrtar i një grupi tjetër kryengritës, “Jabha Shamiya”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se rreth 1 mijë persona të plagosur pritet të largohen nga Aleppo fillimisht dhe se i gjithë evakuimi mund të përfundojë brenda tri ditëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat