Iran: Nga sulmet në Parlament dhe tempullin Khomeini – 12 të vrarë

Azia

Iran: Nga sulmet në Parlament dhe tempullin Khomeini – 12 të vrarë

Më: 7 qershor 2017 Në ora: 09:22
Lokacionet e sulmeve

(E plotësuar) - Një zyrtar iranian tha se 12 vetë janë vrarë në dy sulme kundër Parlamentit të Iranit dhe mauzoleut të Ajatollah Ruhollah Khomeinit.

Shefi i Departamentit të inteligjecës së Iranit, Pir Hossein Kolivand, tha se 39 vetë të tjerë janë plagosur në sulmet e sotme në Teheran, ndërsa operacionet e shpëtimit po vazhdojnë.

Nuk është e qartë nëse në numrin e të vrarëve janë përfshirë sulmuesit.

Grupi ekstremist sunit, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e sotme në kryeqytetin Teheran në Iran, ka raportuar agjencia e lajmeve Amaq, e ndërlidhur me Shtetin Islamik.

Image
Pamje nga sateliti e lokacionit

Irani është vend me popullatë shumicë shiite myslimane.

Njëherësh, mediat iraniane kanë raportuar se sulmi në ndërtesën e parlamentit tash ka “përfunduar”, pasi më herët thuhej se ishte një situatë me rrëmbime të njerëzve.

Raportohet se katër sulmues janë vrarë.

Ligjvënësi nga Teherani, Elyas Hazrati, është cituar duke thënë se ishin tre sulmues, dy të armatosur me pushkë automatike Kalashnikov, ndërsa një kishte revole.

Situata raportohet se është e qetë edhe në lokacionin e dytë, në mauzoleun e Khomeinit në pjesën jugore të Teheranit, ku rrjeti Press TV tha se tri gra dhe një mashkull ishin të involvuar në sulm.

Ky rrjet më herët pat raportuar se tre sulmues ishin arrestuar, derisa i katërti ishte sulmues vetëvrasës.

 

 

 

Sulm terrorist në Iran, viktima, të plagosur e pengje

Persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj ndërtesës së Parlamentit iranian dhe varrit të Ajatollahut Khomeini, duke shkaktuar të paktën 10 të vdekur e 12 të plagosur, në një sulm të marrë përsipër nga Shteti Islamik përmes faqes së tyre “Amaq”

Terrori prek kështu edhe zemrën e kryeqytetit të Republikës Islamike, ku episode të tilla janë të pazakonta. 

Shkëmbime të ashpra zjarri thyen qetësinë e Teheranit, e regjistrimet audio tregojnë se të shtëna janë regjistruar edhe brenda sallës së Parlamentit, ku një roje sigurie raportohet të jetë vrarë në vend. 

Pati një të vrarë dhe disa të plagosur, nga ana tjetër, te varri i ngritur në nder të themeluesit të Republikës moderne Islamike iraniane. 

Raportet e deritanishme tregojnë se bëhet fjalë për një kamikaz dhe disa agresorë të tjerë të armatosur. Atentatori vetëvrasës, nga sa pohojnë dëshmitarët në vendngjarje, e hodhi veten në erë përpara një banke të ndodhur pranë mauzoleumit. 

Agjencia vendase e lajmeve “Fars News” pretendon se kamikazi, në fakt ishte një grua. CNN thotë se mund të mos jetë ashtu, e citon informacione të tjera, që tregojnë se një grua në fakt është arrestuar dhe se tjetërkush është hedhur në erë. 

Një tjetër agjenci, “Labour News Agency” përcjell lajmin se dy agresorë janë arrestuar nga policia. Raportet që mbërrijnë nga vendngjarja janë kontradiktore, por dëshmojnë dinamikën e një situate në zhvillim. 

Thuhet se 3 agresorë janë ende brenda Parlamentit. Plot 7 apo 8 vetë u plagosën kur ndërtesa u mësy nga 4 atentatorë të armatosur me kallashnikovë dhe pistoleta “Colt”. 

Mësymja e mauzoleumit, disa kilometra më në jug, ndodhi në të njëjtën kohë. Goditjet duket se kanë qenë të koordinuara.

Sulmet terroriste në Iran janë tejet të rralla, sidomos në kryeqytetin e kontrolluar rreptësisht të vendit, ku zonat qeveritare e ato të vizituara nga turistë mbrohen nga forca të shumta policore.

Kontrolli i armëve është gjithashtu shumë i ashpër, gjë që do të thotë se agresorët, me shumë gjasë i kanë siguruar armët e tyre nëpërmjet kontrabandës nga jashtë. 

Irani me shumicë shiite është përfshirë në aksionet ushtarake kundër grupeve terrioriste sunite, siç është Shteti Islamik, të cilët i konsiderojnë shiitët si femohues.

Sulm në parlamentin iranian dhe tempullin e Khomeinit

Persona të armatosur dhe sulmues vetëvrasës kanë sulmuar sot parlamentin iranian dhe tempullin e Ayatollah Ruhollah Khomeinit. Të dyja sulmet thuhet të jenë kryer nga grupe terroriste.

Grupi ekstremist sunit, Shteti Islamik, ka marrë përgjegjësinë mbi të dyja këto sulme në kryeqytetin e Iranit, i dominuar nga iranianët shiitë.

Mediat iraniane raportojnë se së paku tre sulmues kanë bastisur mauzoleumin e Khomeinit në jug të Teheranit dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të vizitorëve.

Një nga sulmuesit ka hedhur veten në erë, kurse një tjetër është vrarë nga forcat e sigurisë.

Sulmet thuhet të jenë kryer në të njejtën kohë dhe kanë qenë të koordinuara.

Edhe ministria e Inteligjencës e Iranit ka thënë se sulmet janë kryer nga grupe terroriste.

"Këtë mëngjes, dy grupe terroriste sulmuan parlamentin dhe tempullin e Imam Khomeinit ... Anëtarët e grupit të tretë janë arrestuar para se të kryenin ndonjë sulm", ka cituar ndër të tjera ministrinë, televizioni shtetëror.

Sulmet pasojnë zgjedhjet Hasan Rohanit si president të Iranit më pak se një muaj më parë. Rohani njihet si figurë e moderuar në një vend, në të cilin fuqinë supreme e ka Ayatollah Ali Khamenei.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat