Forcat izraelite i vranë tre palestinezë, pasi ata e vranë një police

Azia

Forcat izraelite i vranë tre palestinezë, pasi ata e vranë një police

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 11:24
Pamje e pjesëtarëve të policisë speciale të Izraelit në Jerusalem

Forcat e sigurisë izraelite thanë se i kanë vrarë tre palestinezë, të cilët mbrëmë e kishin vrarë një police të Izraelit, në atë që duket se ishin sulme të koordinuara me të shtëna dhe therrje në Jerusalem.

Përgjegjësinë për dy sulmet simultane e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik, në faqen e vet në Internet, Amaq, që është hera e parë që ky grup e ka marrë përgjegjësinë për sulmet në Izrael, sipas Grupit të Inteligjencës SITE, që i monitoron organizatat militante.

Shteti islamik ka tërhequr vërejtjen se ky nuk do të jetë “sulmi i fundit” kundër Izraelit.

Në incidentin e parë, dy palestinezë janë vrarë pasi kishin hapur zjarr kundër një grupi të policëve izraelitë dhe ishin përpjekur t’i therrnin me thika, ka thënë policia.

Në rastin tjetër, një palestinez e kishte therrë me thikë për vdekje një police kufitare izraelite. Ky sulmues palestinez ishte vrarë nga pjesëtarët e policisë.

Në këto sulme ishte plagosur edhe një oficer izraelit.

Dhuna ndodhi derisa myslimantë e kanë shënuar përfundimin e Xhumasë së tretë të agjërimit të Ramazanit, me ç’rast dhjetëra mijëra palestinezë nga pjesa lindore e Jerusalemit dhe Bregu Perëndimor, morën pjesë në faljet në kompleksin e xhamisë, Al-Aqsa, që është njëri nga vendet më të shenjta myslimane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat