Malajzi, zjarr në shkollën fetare; 24 viktima

Azia

Malajzi, zjarr në shkollën fetare; 24 viktima

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 12:39
Malajzi

24 nxënës e mësues kanë gjetur vdekjen mes flakëve që shkrumbuan një shkollë fetare në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Zjarri shpërtheu orët e para të mëngjesit të së enjtes duke i lënë viktimat të bllokuar në fjetoret e tyre, dritaret e të cilave janë të mbyllura me kangjella.

Kreu i departamentit të zjarreve dhe operacioneve të shpëtimit, Khirudin Drahman e cilësoi ngjarjen si fatkeqësinë më të rëndë të këtij lloji në vend prej 20 vjetësh.  22 prej të vdekurve janë nxënës, që të gjithë djem të moshave nga 13 deri në 17 vjeç.  Abu Obaidat, nga departamenti i zjarreve, tha: “Pjesa e brendshme e godinës është dëmtuar në masën 100%. Dyshekë, rafte librash e sende të tjera nëpër dhoma janë shkatërruar krejtësisht, por shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende. Ne po vazhdojmë hetimin”. 

  Flakët nisën në 5:40 të mëngjesit me orën lokale e, sipas policisë, tragjedia ka marrë udhë pikërisht në kompleksin e fjetoreve, ndoshta nga një qark i shkurtër apo djegia e një pajisjeje kundër mushkonjave. 

Të miturit që frekuentojnë shkollat islamike Tahfiz, ku studiohet Kurani, shpeshherë edhe jetojnë atje. 

“Fëmijët thërrisnin për ndihmë, por ne nuk hynim dot sepse dera ishte e gjitha në flakë”, tha për Reuters një prej banorëve që jetojnë pranë shkollës. Sipas shefit të policisë, Amar Singh, viktimat me shumë mundësi janë mbytur nga tymi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat