Irak: Raporte për përleshje ndërmjet ushtrisë dhe forcave kurde

Azia

Irak: Raporte për përleshje ndërmjet ushtrisë dhe forcave kurde

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 10:00
Pamje e djeshme e automjeteve ushtarake të forcave të Irakut afër Kirkukut

Ushtria e Irakut thotë se pjesëtarët e saj kanë lëvizur kah territoret që mbahen nga kurdët, afër provincës veriore, Kirkuk, duke i marrë disa pozicione nga luftëtarët kurdë.

Në kumtesën e sotme të armatës irakiane theksoheet se forcat proqeverisë e kanë marrë kontrollin ndaj urave, rrugëve dhe infrastrukturës, përfshirë kapacitetet e gazit, një stacion të rrymës dhe një qendër policore në pjesën jugore të Kirkukut.

“Forcat po vazhdojnë të avancojnë”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i forcave kurde, Bahzad Ahmed, ka konfirmuar se forcat federale e kanë marrë kontrollin e hapësirave industriale në jug të Kirkukut gjatë luftimeve nga të cilat ka “shumë viktima”. Ai nuk ka dhënë shifra specilifike lidhur me viktimat eventuale.

Kjo lëvizje u bë tri javë pasi zyrtarët kurdë e kanë mbajtur një referendum për pavarësi në rajonin e tyre autonom, përfshirë Kirkukun. Ky votim nga qeveria në Bagdad është shpallur ilegal.

Zyrtarët kurdë thanë se banorët me shumicë të madhe votuan për pavarësi.

Bisedimet e djeshme për krizën dështuan, pasi liderët kurdë i refuzuan kërkesat e qeverisë në Bagdad për t’i tërhequr rezultatet e referendumit.

Mbrëmë vonë, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga “të gjithë aktorët” në rajon që tu shmangen “aksioneve destabilizuese, që e dobësojnë luftën kundër Shtetit Islamik dhe mëtutje e dëmtojnë stabilitetin e Irakut”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat