BE vendos sanksione të reja kundër Koresë së Veriut

Azia

BE vendos sanksione të reja kundër Koresë së Veriut

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 19:52
Lideri verikorean, Kim Jong Un.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan të hënën sanksione të reja kundër Koresë së Veriut, për shkak të, siç u tha, “shkeljeve dhe shpërfilljeve flagrante” të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për programin e saj bërthamor dhe balistik.

Sanksionet përfshijnë ndalimin total të shitjes së produkteve të naftës në Korenë Veriore dhe uljen e tavanit të pagesave të transferuara në Korenë e Veriut nga 15,000 euro sa është aktualisht, në 5,000 euro.

Me sanksionet e reja, tre individë dhe gjashtë entitete, që kanë lidhje me regjimin verikorean, i janë shtuar listës së zezë, që do të thotë se do t’iu ndalohet të udhëtojnë në BE, ndërsa asetet do t’iu ngrihen.

Në total, 41 individë dhe 10 entitete verikoreane janë në listë të zezë të BE-së.

Të gjitha masat u tha se do të hyjnë në fuqi menjëherë.

Bashkimi Evropian tha se hapat e rinj janë ndërmarrë për shkak të “kërcënimit të vazhdueshëm të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar” që paraqet regjimi i Kim Jong Un-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat