Mbi 15.000 civilë të vrarë gjatë 2017-s

Azia

Mbi 15.000 civilë të vrarë gjatë 2017-s

Më: 8 janar 2018 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Më shumë se 15.000 civilë u vranë nga armët shpërthyese në botë gjatë 2017, një rritje me 42% nga një vit më parë. Shifrat publikohen në raportin e organizatës Aksion ndaj Dhunës me armë, e cila është e specializuar në studimin e pasojave të armëve shpërthyese ndaj civilëve.

Rritja e viktimave civile, thuajse dyfish nga 2016, është pasojë direkte e sulmeve ajrore dhe përkon me angazhimin e koalicionit të udhëhequr nga SHBA për të marrë fortesat e ISIS në Mosul dhe Raqa.

Raporti u publikua nga gazeta “The Guardian” dhe deputetë britanikë thanë se shifrat janë thellësisht shqetësuese, veçse ngrenë dyshime mbi kriteret që përdor ministria e mbrojtjes për të përcaktuar nëse një individ është terrorist apo jo. Zyrtarisht, Britania e madhe thotë se nuk ka prova që sulmet e saj ajrore të kenë vrarë civilë, ndërsa SHBA ka pranuar se pa dashje ka vrarë 801 civilë në Irak dhe Siri.

Raporti thekson se nuk ka interes nga koalicioni apo qeveria irakiane që të kuptojnë nivelin e vdekjeve mes civilëve. Në Siri, vendi ku shifrat janë rritur më tepër, e ku bombardimet janë kryer nga qeveria vendase dhe Rusia, shifrat e viktimave janë marrë nga burime në terren, pasi zyrtarisht bombat nuk kanë vrarë askënd që nuk duhej.

Ekspertët thonë se sidomos në luftën urbane, viktimat civile janë të pashmangshme, por palët e përfshira duhet të përpiqen më shumë që të reduktojnë numrat dhe jo thjesht të hedhin bomba në zona rezidenciale me shpresën se nuk do ndodhë asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat