Teherani refuzon çdo modifikim të marrëveshjes bërthamore

Azia

Teherani refuzon çdo modifikim të marrëveshjes bërthamore

Më: 14 janar 2018 Në ora: 12:23
Teheran

Irani ritheksoi dje refuzimin e tij ndaj çdo modifikimi të marrëveshjes bërthamore të arritur me fuqitë e mëdha, për shkak të ultimatumit të presidentit amerikan, Donald Trump që ka kërkuar një forcim të kushteve të kësaj marrëveshje.

“Republika islamike e Iranit  nuk do të marrë asnjë masë përtej angazhimeve të saj në kuadër të marrëveshjes bërthamore”, theksoi në një komunikatë ministria iraniane e Punëve të Jashtme, duke përsëritur se Teherani refuzonte të rinegocionte këtë marrëveshje.

Nga ana tjetër, Rusia, aleat i Teheranit, vlerësoi se “duke dalë nga kjo marrëveshje historike e arritur në vitin 2015 në Vjenë mes grupit 5+1 (Gjermani, Kinë, SHBA, Francë, Britani e Madhe dhe Rusi) dhe Iranit, Uashingtoni do të bënte një përllogaritje shumë të gabuar”.

Franca nga ana e saj rikujtoi respektimin e nevojshëm nga të gjitha palët të marrëveshjes bërthamore, pas thirrjes që i bëri presidenti amerikan evropianëve që ta ndihmojnë të forcojë kushtet e këtij pakti nëse duan të evitojnë një tërheqje të Uashingtonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat