Replika mes ligjvënësve në dëshminë e ish zyrtarit të FBI-sëa - Bota Sot
Replika mes ligjvënësve në dëshminë e ish zyrtarit të FBI-sëa

Azia

E enjte, 18 tetor 2018

Replika mes ligjvënësve në dëshminë e ish zyrtarit të FBI-sëa

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 22:21
Ligjvënësit republikanë akuzuan zyrtarin Peter Strzok për njëanshmëri

Një zyrtar i FBI-së ka mohuar të jetë ndikuar nga paragjykimet politike gjatë punës së tij në hetimin e vitit 2016 mbi përdorimin nga ish-sekretarja e Shtetit Hilary Clinton të një serveri privat emailash dhe hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Në një seancë dëgjimore të enjten, ish zëvendës ndihmës drejtori i FBI-së Peter Strzok u tha ligjvënësve amerikanë se ai kurrë nuk ka lejuar që mendimet e tij personale të ndikonin në punën e tij zyrtare. Demokratët në Kongres po akuzojnë republikanët për sulm ndaj zotit Strzok në një përpjekje për të minuar hetimin e pavarur të fushatës presidenciale të vitit 2016.

Ligjvënësit republikanë akuzuan zyrtarin Peter Strzok për njëanshmëri pasi u zbulua se ai kishte shkëmbyer mesazhe sms me avokaten e atëhershme të FBI-së, Lisa Page, në të cilat kishte shprehur mospëlqimin e tij për zotin Trump. Ai tha se pikëpamjet personale nuk kanë ndikuar kurrë në punën e tij.

"Këto shprehje të mendimeve të mia personale mbi procesin politik të zgjedhjeve presidenciale nuk kanë patur ndikim në veprimet e mia në hetime, përfshirë hetimin e ish-Sekretares së Shtetit Clinton".

Vitin e kaluar, Strzok u hoq nga grupi hetimor i Prokurorit të Posaçëm mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane pasi u bënë publike mesazhet e tij sms. Ai u tha ligjvënësve të enjten se ishte hequr për të shmangur përshtypjen e njëanshmërisë. Por një ligjvënës republikan nga Karolina e Jugut tha se asnjë hetim nuk do mund të ishte objektiv nëse Strzok do të ishte i përfshirë.

"Agjenti Strzok e kishte shpallur fajtor zotin Donald Trump përpara se ta fillonte hetimin kundër tij. Kjo është njëanshmëri. Agjenti Strzok nuk mund ta shohë këtë, por pjesa tjetër e vendit e kupton këtë dhe nuk është ajo që ne duam, presim ose meritojmë nga një zyrtar i zbatimit të ligjit, aq më pak nga FBI-ja".

Seanca u shndërrua në një shkëmbim të zëshëm replikash kur një ligjvënës republikan nga Teksasi përmendi marrëdhëniet e agjentit Strzok me avokaten Lisa Page.

"Kur shoh buzëqeshjen tënde ironike, nuk mund të duroj pa të pyetur se sa herë je paraqitur kaq i pafajshëm në sytë e bashkëshortes dhe e ke gënjyer atë për avokaten Page?”

Kjo pyetje nxiti reagime nga ligjvënësit demokratë të cilët e qortuan kolegun e tyre republikan dhe kryetarin e komisionit për tolerimin e kësaj pyetjeje.

Avokatja Lisa Page ka rënë dakord të dëshmojë prapa dyerve të mbyllura sot. Demokratët kanë akuzuar republikanët që mbështesin Presidentin Trump se po përdorin rastin e agjentit Strzok për të cenuar vlefshmërinë e hetimit të pavarur mbi çështjen nëse Rusia e kishte ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test