Taxhikistani fajëson një parti islamike për vrasjen e çiklistëve

Azia

Taxhikistani fajëson një parti islamike për vrasjen e çiklistëve

Më: 31 korrik 2018 Në ora: 14:59
Taxhikistan

Qeveria e Taxhikistanit tha se Partia e Rilindjes Islamike, subjekt i ndaluar në këtë vend, qëndron prapa vrasjes së katër çiklistëve të huaj.

Dy amerikanë, një zviceran dhe një holandez u qëlluan për vdekje të dielën, në qarkun Danghara, në juglindje të kryeqytetit Dushanbe.

Ministria e Brendshme taxhike tha përmes një deklarate se sulmuesit janë udhëhequr nga një "anëtar aktiv" i Partisë së Rilindjes Islamike.

Ministria e identifikoi udhëheqësin e dyshuar si Hussein Abdusamadov, 33 vjeç, dhe tha se "ai është trajnuar në Iran".

Ministria tha se thirret në rrëfimin e një të dyshuari të ndaluar.

Pretendimet e autoriteteve taxhike vijnë pasi grupi militant Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin, një ditë më herët.

Udhëheqësi në mërgim i Partisë së Rilindjes Islamike, Muhiddin Kabiri, tha se i hedh poshtë "akuzat e palogjikshme" të Ministrisë së Brendshme dhe se e dënon "aktin terrorist".

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar trajtimin që i ka bërë Taxhikistani Partisë së Rilindjes Islamike, e cila është shpallur "organizatë terroriste" dhe është ndaluar në vitin 2015, pasi qeveria e ka akuzuar për komplotimin e një përpjekjeje për puç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat