Bangladesh, një javë protestash studentore për sigurinë rrugore

Azia

Bangladesh, një javë protestash studentore për sigurinë rrugore

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 18:05
Bangladesh

Sot shënohet dita e shtatë radhazi e protestave të studentëve në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka. Protestuesit kërkojnë përmirësim të sigurisë rrugore pasi dy studentë u vranë nga një autobuz që ishte me shpejtësi, të dielën e kaluar. Policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome të shtunën për të shpërndarë qindra studentë protestues.

Studentët u përleshën me policinë në Bangladesh në ditën e shtatë të protestave, duke bërë thirrje për zbatim më të mirë të ligjeve të sigurisë rrugore dhe mbrojtje më të madhe të këmbësorëve pranë shkollave.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë qindra protestues në zonën Dhanmondi të kryeqytetit të Daka, ndërsa demonstruesit hodhën gurë. Njoftimet e medias thonë se disa njerëz janë plagosur.

Dëshmitarët thanë se policia i qëlloi studentët me plumba gome, por policia e ka mohuar këtë akuzë.

“Ne të gjithë po ndihemi të kërcënuar këtu. Dëshirojmë një protestë paqësore, nuk duam probleme, por janë qëlluar plumba gome ndaj vëllezërve tanë në Mirpur. Ata ishin të shpërndarë, ne nuk duam probleme të tilla” thotë një protestues.

Protestat filluan të hënën në Daka pasi dy studentë u vranë nga autobuzë që ecnin me shpejtësi për të marrë pasagjerë. Studentët dolën në protesta, veçanërisht në zonat ku aksidentet janë më të zakonshme, për të kërkuar një kontroll më të rreptë të patentave të shoferëve dhe zbatimin e ligjeve të trafikut.

Kryeministri Sheik Hasina ka premtuar të përmbushë listën prej nëntë kërkesash të protestuesve, në disa faza. Kërkesat përfshijnë: sjelljen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për vdekjet e dy studentëve, lirimin e studentëve të arrestuar në protesta, dhe ndërtimin e urave për këmbësorët në afërsi të të gjitha institucioneve arsimore. Studentët thonë se do të protestojnë derisa të plotësohen kërkesat.

Protestuesit gjithashtu kërkojnë dorëheqjen e Ministrit të Transportit Shajahan Khan dhe falje nga ai, i cili dukej se minimizoi vdekjen e dy studentëve kur ai pyeti pse nuk kishte patur trazira pas një aksidenti në Indi një ditë më parë që vrau 33 vetë. Ai tashmë ka kërkuar falje për komentet e tij.

Komisioni Kombëtar i Bangladeshit për Mbrojtjen e Transportit, Rrugëve dhe Hekurudhave zbuloi se më shumë se 4,200 këmbësorë u vranë gjatë aksidenteve të trafikut vitin e kaluar, më së shpeshti për shkak të ngasjes së pakujdesshme./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat