Pa humbje!

Basketboll

Pa humbje!

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 16:10
Pamje nga një ndeshje

Z Mobile Prishtina është skuadra e vetme në Superligën e Kosovës që në stinorin vjeshtor nuk e ka regjistruar asnjë humbje.

Në 13 ndeshje që i ka zhvilluar në pjesën e parë të edicionit kjo skuadër ka grumbulluar 26 pikë, me një ndeshje më pak të luajtur, kundër Ponte Prizrenit për shkak të angazhimeve në garat ndërkombëtare.

Dhe kur jemi te garat ndërkombëtare, duhet theksuar se Z Mobile Prishtina ka luajtur për vitin e dytë radhazi në parakualifikime të Basketball Champions League, por u eliminua, dhe më pas vazhdoi në FIBA Europe Cup duke bërë histori në basketbollin kosovar në nivel të klubeve, pasi që arriti të kaloj një raund dhe kështu të zë vend në mesin e 16 skuadrave që kanë vazhduar në raundin e dytë të FIBA Europe, aty ku edhe tani është duke luajtur.

Përbërja e klubit bardhekaltër është dukshëm më e fortë dhe më larg për nga cilësia në krahasim me klubet tjera të elitës së basketbollit të Kosovës.

Në pozitën e dytë në renditjen tabelare të Superligës së Kosovës është Golden Eagle Ylli nga Suhareka, ku në 14 ndeshje të luajtura ka bilanc prej 9 fitore e 5 humbje dhe kështu ka tubuar 23 pikë.

Pas ekipit nga Suhareka është ai nga Rahoveci me bilanc të njëjtë, 9 fitore e 5 humbje dhe me pikë të barabarta.

Në vendin e katërt renditet Trepça me 21 pikë të grumbulluara, me 7 fitore e 7 humbje.

Ndërkaq skuadra që ka befasuar, jo për të mirë kuptohet, është kampionia në fuqi, Bashkimi që është renditur në pozitën e pestë me 7 fitore e 7 humbje dhe me pikë të barabarta me Trepçën.

Ekipi tjetër nga Prizreni, Ponte Prizreni (ish-Kalaja) ka regjistruar 5 fitore e 8 humbje dhe ka tubuar 18 pikë.

Ndërkohë Borea ka bilanc prej 3 fitore e 11 humbje, të fundit disfatë e ka në tavolinën zyrtare, pasi nuk luajti në ballafaqim me Golden Eagle Yllin në mungesë të mjeteve financiare. Borea ka tubuar 16 pikë, aq sa ka edhe Lipjani në pozitën e fundit (8-të) me 2 fitore e 12 humbje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat