Këto ishin aktivitetet e basketbollit për vitin 2018!

Basketboll

Këto ishin aktivitetet e basketbollit për vitin 2018!

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 17:12
Këto ishin aktivitetet e basketbollit për vitin 2018!

Viti 2018 ka qenë shumë i ngjeshur, por edhe i frytshëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Krahas aktiviteteve në nivel të garave, ku janë zhvilluar ligat e të gjitha kategorive, prej atyre U-12 e deri te seniorët, në të dyja konkurrencat, FBK sivjet ka pasur sfida nga më të ndryshmet, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Janë organizuar kampe të të rinjve në koordinim me FIBA-n, pastaj seminare për trajnerë, gjyqtarë, vëzhgues, po ashtu në bashkëpunim me FIBA-n, ndërsa ka pasur vizita të ndërsjella, si të zyrtarëve të lartë të FIBA-s në Kosovë, ashtu edhe të atyre të FBK-së në FIBA, dhe të gjitha këto për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në mënyrë që të arrijmë deri te zhvillimi i kuadrove të basketbollit kosovar në të gjitha lëmitë.

Në 2018, Federata e Basketbollit të Kosovës ka arritur një tjetër sukses historik, në nivel të Përfaqësueseve, pasi që Kosova U18 në konkurrencën e meshkujve është shpallur kampione në Divizionin C dhe kështu që nga viti 2019 do të garoj një nivel më të lartë, pra në Divizionin B.

Tjetër sukses për FBK-në ka qenë organizimi i FIBA U18 Kampionatit Evropian U18, Divizioni C në Prishtinë, që nga FIBA dhe të gjithë pjesëmarrësit është vlerësuar si një organizim i suksesshëm dhe për t’u lavdëruar në çdo aspekt.

Në nivel të klubeve në 2018, Z Mobile Prishtina për vitin e dytë radhazi ka garuar në parakualifikimet e Basketball Champions League, ku është eliminuar, por që më pas ka arritur sukses historik duke e kaluar një raund në FIBA Europe Cup.

Për herë të parë këtë vit në adresë të Federatës së Basketbollit të Kosovës ka arritur nominimi nga FIBA Evropa për tre gjyqtarët kosovarë, Xhelal Mumini, Daut Mehmeti dhe Dardan Maxhuni, të cilët e kanë ndarë drejtësinë në Kampionatet Evropiane të kategorive të reja që janë mbajtur në verën që e lamë pas në qytete të ndryshme evropiane. Që nga pranimi në FIBA në vitin 2015, kjo është hera e parë që gjyqtarët kosovarë nominohen për të ndarë drejtësinë në gara të nivelit të lartë siç janë Kampionatet Evropiane të kategorive të reja, kjo për shkak se vitin e kaluar pikërisht këta tre gjyqtarë e kanë marr thirrjen gjyqtarë të FIBA-s.

Shikuar në tërësi është bërë një punë e madhe, por edhe më e madhe pritet të jetë ajo në vitin 2019, ku FBK në krye me kryetarin e saj, Arben Fetahu dhe Bordin, janë të gatshëm për të gjitha sfidat që e presin federatën në vitin që po vjen.

Më poshtë mund të gjeni disa nga ngjarjet më të rëndësishme që e kanë përshkuar vitin 2018 në basketbollin kosovar:

Më 06.01.2018 në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës në Prishtinë është mbajtur Klinika për gjyqtarët e IP Superligës së Kosovës nën patronazhin e programit FIBA SCOD. Klinika është  udhëhequr nga instruktori i FIBA-s, maqedonasi  Gjorgji Piperkov, ndërsa kanë marr pjesë 25 gjyqtarë nga elita e basketbollit kosovar. Gjyqtarëve u janë prezantuar temat rreth kriterit RSBQ, mekanika 3 gjyqtarë si dhe është bërë analiza e pjesës së parë të edicionit nëpërmjet klipeve të ndeshjeve të IP Superligës. Klinika është mbajtur në sallën e konferencave “Orion” në Prishtinë, ndërsa mënjeherë pas përfundimit të Klinikës është organizuar testi fizik në palestrën e sportit të Fakultetit të Shkencave Sportive në Prishtinë;

- Më 16.01.2018 në Munich të Gjermanisë është tërhequr shorti për Kampionatet Evropiane të kategorive të reja në të dyja konkurrencat dhe në të tri Divizionet, A, B dhe C. Federata e Basketbollit e Kosovës ka paraqitur 5 Përfaqësuese të reja në të dyja konkurrencat për të marr pjesë në Kampionatet Evropiane në Divizione të ndryshme. Ashtu si edhe verën e kaluar në konkurrencën e meshkujve, Kosova do të përfaqësohet me gjeneratat U-16, U-18 dhe U-20, kurse në atë të femrave me U-16 dhe U-18.

- Më 16.01.2018 në Munich është organizuar edhe një Punëtori nga FIBA Evropa për oranizatorët e Kampionateve Evropiane, derisa FBK-në në këtë event e kanë përfaqësuar Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, dhe Artina Hasani nga stafi i zyrës së FBK-së. Dushku dhe Hasani i kanë marr të gjitha informatat e nevojshme rreth organizimit të Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C;

- Më 22.01.2018 ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku është emëruar në pozitën e Sekretares së Përgjithshme pas performancës së saj të shkëlqyeshme të dëshmuar prej 01.02.2017, kur edhe e kishte filluar punën e u.d. Sekretare e Përgjithshme. Dushku në FBK është punësuar në vitin 2015 si zyrtare për marrëdhënie me publikun, derisa që nga 1 shkurti i vitit 2017 është avancuar në pozitën e u.d. Sekretare e Përgjithshme dhe më pas në atë të Sekretares së Përgjithshme;

- Më 13 dhe 14 shkurt në Prishtinë ka qëndruar zyrtarja e FIBA-s, Radmila Turner, e cila e mban pozitën e Udhëheqëses së Federatave Nacionale dhe Udhëheqëses për Sport, Rini e Antidoping në FIBA Evropë. Qëllimi i vizitës së saj ka qenë fillimi i përgatitjeve për Kampionatin Evropian

U-18, Divizioni C që do të mbahet në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik 2018. Turner me këtë rast ka zhvilluar takime pune me udhëheqësen e Komitetit Lokal Organizativ të Kampionatit, Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushkun, dhe me anëtarë të stafit të këtij Komiteti, si dhe më pas e ka bërë inspektimin e palestrave sportive në Prishtinë (“1 Tetori” dhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë), hoteleve, ku janë akomoduar zyrtarët e FIBA-s, si dhe Konviktin ku janë akomoduar ekipet pjesëmarrëse të këtij Kampionati. Pas dy ditë pune intensive Turner e ka dhënë pëlqimin që Kampionati mund të organizohet në kushtet e ofruara nga FBK, me përjashtim të palestrës “1 Tetori” ku ajo ka kërkuar të bëhen disa ndërhyrje urgjente në mënyrë që ekipet të zhvillojnë në kushte sa më të mira stërvitjet;

- Më 23 shkurt 2018 Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar disfatë nga Polonia me rezultat 90:62  në ndeshjen e parë të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” të zhvilluar në qytetin Ëloclaëek;

- Më 26 shkurt Përfaqësuesja e Kosovës ka pësuar humbje nga Lituania në ndeshjen e luajtur në qytetin Klaipeda në kuadër të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Takimi ka përfunduar me rezultat 106:50;

- Më 3 mars 2018 Federata e Basketbollit të Kosovës në hotel "Solid" në Suharekë e ka mbajtur Kuvendin e Punës. Të pranishëm ishin 21 nga 40 delegatë sa numëron Kuvendi i FBK-së. Rendi i ditës përbëhej nga këto pika: Miratimi i procesverbalit nga Kuvendi i Punës së datës 19.02.2017; Raporti i Punës; Raporti Financiar dhe i Auditimit; Plani i Veprimit për vitin 2018; Draft-Buxheti për vitin 2018. Numri një i FBK-së, Erolld Belegu para delegatëve të pranishëm prezantoi në detaje të gjitha raportet të cilat u votuan pa asnjë vërejtje, njëjtë sikur edhe Plani i Veprimit dhe Draft-Buxheti i vitit 2018 që u votuan pa asnjë vërejtje. Duhet theksuar se ky është viti i tretë radhazi që FBK e organizon Kuvendin e Punës në qytetin ku edhe organizohet pjesa përfundimtare e Kupës së Kosovës;

- Më 4 mars 2018 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë me finalet e zhvilluara në të dyja konkurrencat është përmbyllur Final 8 i Kupës së Kosovës, që pati filluar më 28 shkurt. Trofetë e Kupës së Kosovës nuk i kanë ndërruar pronarët, pasi Kupat kanë mbetur në kryeqytet. Së pari është zhvilluar finalja në konkurrencën e femrave, ndërmjet Pro Bet Prishtinës dhe Penzës nga Peja, e cila ishte mjaft dramatike dhe me një kthesë “të papritur” në rezultat nga vashat bardhekaltra, të cilat nga më shumë se minus 10 pikë, arritën që në fund të triumfojnë me rezultat 79:77 dhe atë vetëm pas 5 minutave shtesë. Ndërkaq në finalen e meshkujve të zhvilluar ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit, po ashtu pas një ndeshje mjaft dramatike triumfoi skuadra nga kryeqyteti me shifrat 77:74. Kjo është kupa e 13-të në histori të Sigal Prishtinës, ndërsa e 10-ta për Pro Bet Prishtinën (-ish Universitetin). Këtë edicion për herë të parë është zhvilluar Final 8 i Kupës së Kosovës me këtë format, duke filluar nga dita e mërkurë 28 shkurt e deri të dielën 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Organizatore e Final 8 të Kupës së Kosovës ka qenë skuadra e Golden Eagle Yllit nga Suhareka;

- Prej 28 shkurt e deri më 2 mars në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës në Suharekë është organizuar edhe Klinika për Gjyqtarët Kandidatë Potencial (Nacional) për thirrje të FIBA-s. Klinika është organizuar në hotel “Solid” në Suharekë, kurse është udhëhequr nga drejtori i Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakiç (Kroaci), ndërsa ligjërues ishin instruktorët e FIBA-s, Gjorgji Piperkov (Maqedoni) dhe Faton Kurshumlija (Kosovë). Pjesëmarrës të Klinikës kanë qenë 9 gjyqtarë potencialë, 4 nga Kosova dhe 5 të tjerë nga shtetet si, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pikërisht gjyqtarët e kësaj Klinike kanë qenë ata që e kanë ndarë drejtësinë në ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës, duke përjashtuar finalet e së dielës në të dyja konkurrencat, të cilat do të drejtohen nga gjyqtarët vendor;

Më pas 5 mars 2018 5 mars, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku ka marr pjesë në takimin e 13-të të Sekretarëve të Përgjithshëm të FIBA Evropës që është mbajtur në Munich të Gjermanisë. Për Dushkun kjo ishte hera e parë që ka marr pjesë në një takim të tillë në pozitën e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së;

- Më 6 mars 2018, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit, dhe këtë vendim e ka bërë të ditur në mbledhjen e Bordit të FBK-së. Belegu në muajin shkurt e kishte njoftuar për dorëheqje Komitetin Ekzekutiv të FBK-së, pasi që Agjencia Kundër Korropsion ia kishte dërguar opinionin e saj ku thuhet se “ushtrimi i funksionit kryetar të FBK-së krahas ushtrimit të funksionit-Këshilltar i Jashtëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është i ndaluar”. Pas njoftimit për dorëheqje para Bordit të FBK-së, ky i fundit konform Statutit të FBK-së ka konvokuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe e ka caktuar datën e mbajtjes së tij më 05.04.2018 në Prishtinë;

- Më 13 mars 2018 janë bërë tri vjet që nga anëtarësimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s të mbajtur në Gjenevë;

- Më 14 mars 2018 Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll në konkurrencën e meshkujve është shpallur Kombëtarja e Vitit në ceremoninë e Laureatëve të Vitit 2017 të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të mërkurën mbrëma. Ky cmim erdhi falë suksesit të shënuar në vitin 2017, ku Kosova arriti të kalojë fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” dhe kështu tani Përfaqësuesja jonë bën gara në kualifikimet evropiane në grup me kombëtare me renome botërore si Lituania, Polonia dhe Hungaria. Në fazën e parakualifikimeve Kosova ishte në grup me Estoninë dhe Maqedoninë, dhe falë dy fitoreve në shtëpi kundër këtyre kundërshtarëve arriti të kaloj tutje. Kosova në këtë mënyrë e la jashtë Maqedoninë, e cila në ato momente ishte në pozitën e 38-të në renditjen botërore të FIBA-s. Krahas shpërblimeve të trofeut në formë “Vrapueses Ilire” të bërë nga skulptori i mirënjohur, Luan Mulliqi, KOK-u ndau edhe shpërblime financiare për të dalluarit;

-          Më 19 mars 2018, Federata e Basketbollit të Kosovës zyrtarisht e ka publikuar logon e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C në konkurrencën e meshkujve.

Ideja e logos së Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C është përgatitur nga FBK, ndërsa është dizajnuar nga një kompani italiane, e angazhuar nga FIBA. Në logo janë  përfshirë Hyjnesha në Fron, që simbolizon qytetin e Prishtinës, pra vendin ku po zhvillohet Kampionati, si dhe logoja ka përmbajtur elemente të flamurit të Republikës së Kosovës;

-          Më 20 dhe 21 mars 2018 në Munich të Gjermanisë është mbajtur Punëtoria për Marketing dhe Komunikim e organizuar nga FIBA, ndërsa Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) në këtë event e ka përfaqësuar Artina Hasani, nga stafi i zyrës ekzekutive.

Kjo Punëtori i dedikohet punës së bërë në dy Dritaret e para të kualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”, si dhe përgatitja sa më e mirë për ndeshjet e Dritares së Tretë të këtyre kualifikimeve;

-          Më 26 mars, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës (MKRS) dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimin me qëllim të mbështetjes financiare për arritjen e objektivave dhe synimeve të federatës për vitin 2018. MKRS e ka mbështetur FBK-në me 217,425.25 EUR për vitin 2018. Memorandum Bashkëpunimi është nënshkruar nga ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi dhe nga Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së;

-          Prej 12 deri më 16 shkurt basketbollistët e Kosova U15/16 kanë qëndruar në Stamboll të Turqisë. Gjatë këtij qëndrimi Kosova U15/16 ka zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe të ndryshme turke, si  si Beshiktash, Anadolu Efes, Darussafaka Basketbol dhe Galatasaray. Vizita e Kosova U15/16 në Stamboll është organizuar nga Federata e Basketbollit e Turqisë, e cila është udhëheqëse e projektit të FIBA Evropës për zhvillim të gjeneratave të reja, në të cilin marrin pjesë edhe Kosova, Bullgaria, Maqedonia dhe Rumania. Në kuadër të këtij projekti janë organizuar kampe nacionale, kampe ndërkombëtare, vizita të trajnerëve në Turqi, si dhe turne të ndryshëm;

-          Më 30 mars pati përfunduar afati për dorëzimin e fletënominimeve dhe kandidaturave për kryetar të Federatës së Basketbollit të Kosovës. Kandidatë për kryetar të FBK-së në bazë të nominimeve të deponuara në FBK kanë qenë Arben Fetahu me 23 nominime dhe Artan Rugova me 7 nominime;

-          Më 5 prill 2018, Arben Fetahu është zgjedhur kryetar i ri i Federatës së Basketbollit të Kosovës në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të organizuar në sallën e konferencave “Orion” në Prishtinë. Fetahu ka fituar 22 vota, ndërsa kundër kandidati i tij Artan Rugova është votuar nga 18 delegatë. Deri te organizimi i Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FBK-së erdhi pas dorëheqjes nga pozita e kryetarit, të Erolld Belegut. Belegu ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të FBK-së pasi që Agjencia Kundër Korropsion ia kishte dërguar opinionin e saj ku thuhet se “ushtrimi i funksionit kryetar të FBK-së krahas ushtrimit të funksionit-Këshilltar i Jashtëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është i ndaluar”. Arben Fetahu, pas zgjedhjes kryetar i FBK-së pati deklaruar: “Atë që e kam deklaruar si kandidat, do të vazhdoj ta jetësoj si kryetar. Prioritetet e basketbollit tonë do t’i realizojmë të gjithë së bashku. Falënderoj ata që votuan për mua, që patën besim tek unë, por edhe për ata që votuan për kandidatin tjetër. Është mirë që Federata e Basketbollit të Kosovës i pati dy kandidatura të mira. Që nga dita e premte do t’i përkushtohem maksimalisht detyrës së re dhe shpresoj që do ta arsyetojë besimin e dhënë”;

Prej 6 deri më 8 prill 2018 në palestrën e kolegjit “ISP” në lagjen “Marigona Residence” është organizuar Turneu Ndërkombëtar U15 në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF) të FIBA Evropës. Në këtë turne kanë marr pjesë Kosova, Bullgaria, Maqedonia dhe Rumania. Njëherësh ky ka qenë aktiviteti i fundit i këtij projekti dyvjeçar, në të cilin kanë marr pjesë shtetet e lartëpërmendura, derisa projekti është udhëhequr nga Federata Turke e Basketbollit.  Në kuadër të këtij projekti janë organizuar kampe nacionale, kampe ndërkombëtare, vizita të trajnerëve në Turqi, turne të ndryshëm, dhe përmbyllja e projektit dhe evaulimit të tij nga menaxherët e katër federatave është bërë në Prishtinë në ditën e fundit të këtij turneu;

-          Më 26 prill 2018 KB Lipjani është bërë anëtari i ri i IP Superligës së Kosovës në basketboll.Pavarësisht disfatës së pësuar nga Kalaja në Prizren me rezultat 70:73, por falë fitores në ndeshjen e parë me pesë pikë epërsi (76:71), Lipjani është shpallur kampion i Ligës së Parë dhe e ka siguruar inkuadrimin në rangun më të lartë të basketbollit kosovar;

-          Më 27 prill 2018, skuadra e Istogut e ka siguruar një vend në një rang më të lartë të garave. Istogu pavarësisht disfatës së përjetuar nga Don Bosko në ndeshjen e dytë finale të play-offit të Ligës së Dytë të Meshkujve ka arritur të shpallet kampion, pasi që në ndeshjen e parë kishte triumfuar me 11 pikë epërsi (66:55), kurse në takimin e dytë ka përjetuar humbje me 8 pikë dallim (65:57). Sipas Propozicioneve të Garave të FBK-së, kampion  i Ligës së  Dytë të Meshkujve shpallet  ekipi,  i cili  në  njërën  ndeshje  shënon  fitore  me  më  shumë pikë, ose  pëson   humbje  me  më  pak  pikë se sa  që ka fituar  ndeshjen e parë;

-          Më 3 maj 2018, KB Kalaja nga Prizreni (tani Ponte Prizreni) është bërë nëtari më i ri i  Superligës së Kosovës në basketboll, kjo pasi e ka mposhtur KB Borean nga Peja edhe në ndeshjen e dytë të play-outit të luajtur në palestrën “Sezai Surroi”;

-          Më 3 maj 2018, basketbollistet e Bashkimit janë shpallur kampione të Kosovës për edicionin 2017/18. Vashat prizrenase kanë triumfuar edhe në ndeshjen e tretë finale kundër Penzës në Pejë me rezultat 77:50.  Bashkimi ka dominuar prej fillimit të takimit e deri në fund në duel me Penzën dhe kështu ka arritur të stoliset me titullin e kampionit, të parin që nga edicioni 2009/10. Në këtë mënyrë Bashkimi e ka ndërprerë dominimin shumëvjeçar në basketbollin femëror në Kosovë të Penzës dhe Prishtinës;

Më 5 maj 2018 në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Shoqatës “Handikos” është organizuar turneu memorial i basketbollit me karroca “Halit Ferizi”. Në këtë turne morën pjesë 5 ekipe: Prishtina, Drita nga Gjilani, Bashkimi nga Prizreni, Vushtrria, Vllaznimi nga Gjakova dhe Mitrovica. Fitues i turneut është shpallur ekipi i Dritës që në finale triumfoi ndaj Prishtinës;

-          -Më 21 maj 2018, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës i ka emëruar përzgjedhësit dhe ndihmësit e Përfaqësueseve të Kosovës të grupmoshës U-16, U-18 në të dyja konkurrencat (meshkuj/femra), si dhe të U-20 në konkurrencën e meshkujve;

-          Më 23 maj skuadra e Bashkimit ka shkruar historinë, pasi ka arritur të fitoj titullin e parë të kampionit. Bashkimi në palestrën e stërmbushur “Sezai Surroi” në Prizren dhe me pëkrahje të parezervë të “Arpaxhikëve” ka arritur të mposht Sigal Prishtinën në ndeshjen e katërt finale të play-offit në IP Superligën e Kosovës dhe kështu është stolisur me titullin aq shumë të dëshiruar. Takimi ka përfunduar me rezultat 77:61;

-          Më 25 dhe 26 maj 2018 24 maj 2018, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku kanë marr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës në Nicosia të Qipros. Në këtë Asamble, Fetahu dhe Dushku kanë qenë delegatë të FBK, ndërsa drejtuesit më të lartë të FIBA Evropës kanë raportuar për të gjitha aktivitetet e dhe të arriturat e vitit 2017;

-          Më 16 dhe 17 qershor 2018 në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës  dhe Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) në palestrën e sportit në kolegjin “ISP” në lagjen “Marigona Residence” në Prishtinë është mbajtur Klinika për trajnerë/e të basketbollit.  Ligjërues i Klinikës ka qenë Janez Drvariç nga Sllovenia. Drvariç është një ndër ekspertët më të mëdhenj të basketbollit në Evropë. Drvariç momentalisht është një prej udhëheqësve të Programit të Edukimit të Trajnerëve, FECC, që organizohet nga FIBA Evropa;

-          Prej 20 deri më 22 qershor katër trajnerë nga Kosova: Arben Krasniqi, Albert Sylejmani, Fidan Shatri dhe Ilmen Bajra kanë marr pjesë në Klinikën për trajnerë të basketbollit të organizuar nga Federata Turke e Basketbollit dhe në mbështetje të FIBA-s. Ligjërues në këtë Klinikë kanë qenë: Orhun Ene, Zeljko Obradovic, Cetin Yilmaz, Erdem Can, Kostas Chatzichristos dhe David Rivers. Klinika është organizuar në palestrën “Sinan Erdem” në Stamboll;

-          23 qershori do të mbetet një datë që nuk do të harrohet kurrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Kjo pasi në një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë, ka humbur jetën reprezentuesi i Kosovës, Gazmend Sinani. Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja. Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.  Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA. Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit;

-          Më 25 qershor 2018, fanella me numër 15 e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll është pensionuar me emrin e basketbollistit Gazmend Sinani, i cili e humbi jetën në një aksident rrugor.  Vendimin për pensionimin e fanellës me numër 15 të Përfaqësueses së Kosovës, e ka marr numri një i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu: “Ishe i pari që veshe fanellën e Kombëtares me numër 15. Atë numër e kërkove prapë pardje. Atë numër do ta mbash përgjithmonë vetëm ti, Gazi jonë. Numri 15 i Kombëtares sonë do të pensionohet me emrin tënd, Gazmend Sinani. Ishe plot jetë Gaz. Ike nga kjo jetë papritmas, por do të mbetesh gjithë në zemrat e të gjithë atyre që të njohën. GS#15”.

-          Më 28 qershor 2018 ndeshja Kosovë – Hungari e luajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ka filluar me një minutë heshtje në nder të Gazmend Sinanit të ndjerë. Ndërkaq pak minuta para ndeshjes, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ia dorëzoi vëllait të Gazit, Blin Sinani, një fanellë me nënshkrime të lojtarëve dhe stafit të Përfaqësueses së Kosovës në fanellën e Gazmend Sinanit të ndjerë. Kosova luajti me 11 lojtarë, e la një ulëse të zbrazët në bankën e rezervistëve për Gazin. Takimi ka përfunduar me rezultat 65:81;

-          Më 1 korrik 2018, Kosova ka qenë nikoqire e Polonisë në ndeshjen që i ka takuar Dritares së Tretë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Përfaqësuesja e Kosovës ka regjistruar humbje nga Polonia me rezultat 103:70. Me këtë ndeshje Kosova e ka përmbyllur fazën e kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës "Kina 2019". Ishin Lituania, Hungaria dhe Polonia që kanë vazhduar tutje;

-          Më 2 korrik 2018, Kosova i ka mësuar kundërshtarët e saj në raundin e dytë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021. Kosova në këto gara është pjesë e Grupit B në të cilin bëjnë pjesë edhe Maqedonia dhe Rumania. Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t'u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019;

-          Prej 2 deri më 15 korrik në Suharekë në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe të FIBA Evropës, si dhe në mbështetje të Komunës së Suharekës dhe KB Golden Eagle Ylli është organizuar për herë të parë Kampi Nacional në të dyja konkurrencat për grupmoshat U13 dhe U14. Kampi në konkurrencën e meshkujve është mbajtur prej 2 deri më 8 korrik, ndërsa kanë marr pjesë 48 djem, 8 trajnerë, si dhe udhëheqës të Kampit, derisa në konkurrencën e femrave, kampi është organizuar prej 9 deri më 15 korrik dhe kanë marr pjesë 32 vajza, 6 trajnerë/e, si dhe udhëheqës të Kampit. Në total numri i pjesëmarrëseve në të dyja kampet ka qenë në 120 sosh;

-          Përfaqësuesja U20 e Kosovës në konkurrencën e meshkujve prej 13-22 korrik 2018 ka marr pjesë në FIBA U20 Kampionatin Evropian U20, Divizioni B që është mbajtur në Sofje të Bullgarisë. Përfaqësuesja U20 përfundoi e 18-ta në mesin e 24 kombëtareve nga Evropa.

Përfaqësuesja U6 e Kosovës në konkurrencën e meshkujve prej 9 deri më 18 gusht 2018 ka marr pjesë në FIBA U16 Kampionatin Evropian U16, Divizioni B që është mbajtur në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës. Kosova U16 përfundoi e 23-ta në mesin e 24 kombëtareve nga Evropa. Ajo çka ia vlen të theksohet për këtë Përfaqësuese është se ka hasur në pengesa të mëdha nga autoritetet shtetërore të Bosnje e Hercegovinës për t'u pajisur me viza, dhe atë vetëm pas trusnisë së madhe të FIBA-s, FBK-së, KOK-ut, KON-it dhe Ambasadës Amerikane në Bosnje e Hercegovinë, iu lejua hyrja ekipit tonë dhe atë pas tri ditë pritje para Ambasadës së këtij shteti në Shkup. Kosova U16 në Evropianin në Sarajevë e ka fituar çmimin si ekipi më fair play në Kampionat.

Përfaqësuesja U18 në konkurrencën e femrave ka marr pjesë në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni B në Austri prej 3 deri më 12 gusht 2018. Në mesin e 24 skuadrave pjesëmarrëse Kosova U18 ka përfunduar në pozitën e 22-të.

Përfaqësuesja U16 në konkurrencën e femrave ka marr pjesë në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni B në Podgoricë të Malit të Zi prej 16 deri më 25 gusht 2018. Kosova e ka zënë vendin e 22-të;

-          Prej 22 deri më 29 korrik 2018 në Prishtinë është organizuar FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C në konkurrencën e meshkujve. 9 shtete kanë qenë pjesëmarrëse në këtë Evropian: Moldavia, Armenia, Irlanda, Malta dhe Monako, Qipro, San Marino, Kosova dhe Gjibraltari.

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në prani të rreth 1500 shikuesve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë e ka mposhtur Qipron në finale të FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C dhe kështu është shpallur kampione e këtij divizioni, duke e siguruar kështu biletën për në Divizionin B që nga viti 2019. Rezultati përfundimtar i ndeshjes Kosovë- Qipro ishte 73:64. Që nga pranimi në FIBA, Kosova e ka fituar medaljen e agjendtë në Divizionin C të U16 në 2015 dhe në 2016 me U18 e ka fituar medaljen e bronztë, derisa kjo është medalja e tretë e Kosovës në garat e FIBA-s dhe e para e artë në histori të Kosovës. MVP i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizionit C është shpallur basketbollisti i Përfaqësueses sonë, Rron Ukaj, i cili shënoi 17 pikë e 8 kërcime në ndeshjen finale kundër Qipros, derisa në Pesëshen më të Mirë kanë zënë vend këta basketbollistë: Polys Iliadis (Qipro), Darragh O'Sullivan (Irlandë), Rron Ukaj (Kosovë), Roman Tomatis (Monako) dhe Vadim Raducan (Moldovia).

Në kuadër të Evropianit, Kosovën e ka vizituar edhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, i cili ka ardhur në Prishtinë për të përcjell nga afër Kampionatin dhe për të konfirmuar mbështëtjen e FIBA-s për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Novak së bashku me krerët e FBK-së është pritur nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjë që ka bërë bujë të madhe në FIBA, ku kështu Qeveria e Kosovës e ka dëshmuar mbështetjen për basketbollin kosovar;

Më 14 gusht, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës e ka emëruar përzgjedhës të Përfaqësueses së Kosovës, Damir Mulaomerovicin, ish-basketbollistin e Kombëtares së Kroacisë dhe shumë skuadrave me renome evropiane. Si trajner, Mulaomerovic e ka filluar punën me të përfunduar karrierën si basketbollist, duke udhëhequr skuadra si Sloboda Tuzla (2013-2015), pastaj ka vazhduar te Cibona (2015-2017), derisa më 2016 ka qenë edhe përzgjedhës i Bosnje e Hercegovinës. Mulaomerovic e ka nisur punën me Përfaqësuesen e Kosovës që nga data 29 gusht, kur edhe i ka filluar përgatitjet për ndeshjen kundër Maqedonisë që është zhvilluar në Prishtinë më 13 shtator në kuadër të FIBA Eurobasket 2021 Pre-Qualifiers;

-          Më 14 gusht, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës e ka emëruar Granit Rugovën Drejtor të Përfaqësueseve të Kosovës. Rugova vlerësohet si një prej basketbollistëve më të mirë që nga paslufta në Kosovë, derisa ai ka fituar trofe të shumtë me ekipin e Sigal Prishtinës, kurse ai për një kohë i ka mbrojtur edhe ngjyrat e klubit të Bashkimit. Rugova po ashtu ka qenë pjesë e suksesit të Kosovës në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, kur Përfaqësuesja jonë arriti të kualifikohet në mesin e 32 kombëtareve më të mira evropiane;

-          Më 24 gusht 2018, Sekretarja e Përgjitshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku në Shtëpinë e Basketbollit në Gjenevë ka diplomuar në programin e FIBA-s, “Time-Out”. Dushku ka diplomuar në progamin për Lidership dhe Menaxhment (nga Northumbria University/Angli), programin TASS (Angli, për tu bërë mentore në të ardhmen), si dhe në programin e FIBA-s, FIBA Menaxher Kualifikim. Ky program është udhëhequr nga FIBA, derisa është mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Erasmus +, së bashku me disa federata partnere dhe Universitete. Pjesëmarrës të këtij programi kanë qenë 75 basketbollistë/e dhe ish-basketbollistë/e nga Evropa. Qëllimi i programit Time-Out është për t’i dal në mbështetetje basketbollistëve/e apo ish-basketbollistëve që do ta përfundojnë apo e kanë përfunduar karrierën e tyre, në mënyrë që në të ardhmen të bëhen menaxher në klube apo federata nga shtetet prej nga vijnë;

-          Më 31 gusht 2018, Kompania Art Motion dhe Federata e Basketbollit të Kosovës kanë arritur marrëveshjen për fillimin e një bashkëpunimi dhe partneriteti i cili shumë shpejtë do ta kthej basketbollin në vendin të cilin ky sport e kishte pasluftës dhe të cilin e meriton, me palestra të stërmbushura dhe ndeshje kualitative të të gjitha ligave, Superligës, Ligës së Femrave, Ligës së Parë dhe para se gjithash, ardhmërisë së vendit tonë dhe ajo që na intereson shumë, gjeneratave të reja;

Më 3 shtator 2018 Federata e Basketbollit të Kosovës e ka marr lajmin se është fituese e një tjetër projekti të FIBA-s. Kësaj radhe bëhet fjalë për projektin për zhvillim të basketbollit ndër vajza, “GIRLS’ PROGRAM”. Nëpërmjet këtij projekti që e ka moton “Her World, Her Rules”, FBK synon të zhvilloj basketbollin ndër vajza në vendet rurale të Kosovës, apo edhe në qytetet ku nuk ka aktualisht ekipe të femrave të basketbollit. Target i FBK-së në këtë projekt do të jenë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit. Në kuadër të këtij projekti do të organizohen, kampe, turne, punëtori, klinika, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi i projektit, e që është masovizimi i basketbollit ndër vajza, por edhe krijimi i ekipeve të femrave në qytetet/fshatrat ku nuk ka basketboll të femrave, si dhe krejt në fund të arrihet që pas disa viteve edhe në konkurrencën e femrave të kemi liga prej kategorisë U12 e deri tek senioret;

Prej 7 deri më 9 shtator 2018 në Sofje të Bullgarisë është organizuar turneu ndërkombëtar në kuadër të projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF), ku Federata e Basketbollit të Kosovës është përfaqësuar me dy ekipe (djem/vajza) të moshës deri në 14 vjeç. Krahas Kosovës dhe Bullgarisë, pjesë e këtij projekti janë edhe Federata e Basketbollit të Turqisë, Rumanisë dhe Maqedonisë. Kosova në të dyja konkurrencat do ti zhvilloj gjithsej nga 4 ndeshje. Në këtë turne kanë udhëtuar gjithsej 24 fëmijë (12 djem dhe 12 vajza), 4 trajnerë dhe 2 koordinatorë.

Duhet theksuar se Federata e Basketbollit të Kosovës në dy vitet e kaluara ka qenë pjesë e këtij projekti të përbashkët me Federatat e lartëpërmendura, por vetëm në konkurrencën e meshkujve, derisa në dy vitet e ardhshme ky projekt do të implementohet për të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra. Në kuadër të këtij projekti dyvjeçar do të zhvillohen gjithsej 5 turne dhe 2 Kampe Nacionale;

-          Më 8 shtator 2018, Federata e Basketbollit të Kosovës ka ndarë mirënjohje për dy ish-gjyqtarët e basketbollit, të cilët e kanë bartur thirrjen gjyqtar federativ në ish-Jugosllavi, Mithat Belegu dhe Agim Dushi. Belegu deri ne vitin 2017 ka qenë edhe i vetmi gjyqtar me thirrje ndërkombëtare që e kishte fituar më 1978;

-          Prej 9 deri më 16 shtator në Prishtinë si mysafire e Federatës së Basketbollit të Kosovës ka qëndruar Laura Dixon, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë për Spurs Sports & Entertainment. Dixon ka ardhur në Kosovë në rolin e mentores së Elvira Dushkut, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së;

-          Më 13 shtator 2018, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka pësuar humbje nga Maqedonia me rezultat 73:76 në kuadër të raundit të dytë të parakualifikimeve për FIBA Eurobasket Cup 2021. Atmosfera në palestrën e sporteve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte fantastike, ku të pranishëm ishin rreth 3000 shikues, të cilët për asnjë çast nuk rreshtën së përkrahuri djelmoshat tanë;

-          Më 16 shtator 2018 basketbollistet e Prishtinës dhe basketbollistët e Z Mobile Prishtinës janë shpallur fitues të Superkupës së Kosovës në basketboll. Basketbollistet bardhekaltra në luftë për trofeun e Superkupës e kanë mposhtur Bashkimin me rezultat 71:68, derisa në anën tjetër basketbollistët bardhekaltër triumfuan bindshëm ndaj ekipit të Bashkimit me shifrat 88:50;

Më 20 shtator 2018, Z Mobile Prishtina e ka nisur me këmbë të mbarë aventurën e saj në Basketball Champions League. Bardhekaltrit e kanë mposhtur ekipin holandez Donar Groningen me rezultat 84:64 në raundin e parë të kualifikimeve për Basketball Champions League. Në ndeshjen e kthimit të luajtur një javë më pas si mysafir, Z Mobil Prishtina është mposhtur nga ekipi holandez me më shumë se 20 pikë epërsi dhe kështu është elimunuar nga garat e mëtejmë në këtë ligë për të vazhduar më pas në FIBA Europe Cup;

Më 10 tetor 2018 në ambientet e “Swiss Diamond Hotel Prishtina” në një ceremoni solemne është nënshkruar kontrata e sponsorizimit ndërmjet bankës TEB dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës. Banka TEB do të jetë sponsor i Përfaqësueses së Kosovës në parakualifikimet për Eurobasket 2021. Marrëveshjen e kanë nënshkruar për bankën TEB, Drejtori i Përgjithshëm, Orcun Ozdemir dhe për FBK-në, kryetari Arben Fetahu;

-          Më 14 tetor 2018  FIBA me trishtim të pafund e ka dhënë lajmin për vdekjen e Patrick Baumann, Sekretarit Gjeneral të FIBA-s, njëherësh edhe anëtarit të Bordit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Baumann papritmas ka pësuar sulm në zemër në Buenos Aires të Argjentinës, ku edhe janë zhvilluar Lojërat Olimpike të të Rinjve. Baumann ka qenë në pozitën e Sekretarit Gjeneral të FIBA-s që nga viti 2002, ndërsa ka vdekur në moshën 51 vjece. Baumann ka qenë një mik i madh I Federatës së Basketbollit të Kosovës;

-          Më 16 tetor 2018, Federata e Basketbollit të Kosovës dhe kompania “Vitaminka” e kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku “STOBI FLIPS” do të jetë sponsor gjeneral i të gjitha ligave të kategorive të reja, në të dyja konkurrencat. Marrëveshja njëvjeçare është nënshkruar në zyre të FBK-së nga përfaqësuesi i kompanisë “Vitaminka”, Luan Ajeti dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku;

-          Më 8 nëntor 2018, Z Mobile Prishtina ka triumfuar në përballje me ekipin Cherkaski Mavpy me rezultat 92:73 në kuadër të Grupit E të FIBA Europe Cup. Me këtë fitore Z Mobile Prishtina e ka siguruar kualifikimin për në fazën e dytë të FIBA Europe Cup, e që është suksesi më i madh në nivel të klubeve në arenën ndërkombëtare për basketbollin kosovar;

-          Më 29 nëntor 2018 Kosova ka regjistruar humbje në ndeshjen e luajtur të enjten mbrëma në Oradea kundër Rumanisë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021. Takimi ka përfunduar me shifrat 88:83. Përfaqësuesja jonë në këtë ndeshje u paraqit vetëm me lojtarë vendor, ndërsa ai që shkëlqeu në parket ishte Lis Shoshi me 29 pikë e 18 kërcime, derisa kapiteni Dardan Berisha ka shtuar 24 pikë, 4 kërcime e 4 asistime;

-          Më 2 dhjetor 2018 Kosova, Kosova ka pësuar disfatë nga Maqedonia në ndeshjen e luajtur në Gjevgjeli në kuadër të Grupit B të raundit të dytë të parakualifikimeve për Eurobasket 2021. Ndeshja ka përfunduar me shifrat 78:68. Kosova ndeshjen e fundit në kuadër të raundit të dytë të Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do ta luaj më 24 shkurt në shtëpi kundër Rumanisë. Kosova në dy ndeshjet, pra kundër Rumanisë dhe Maqedonisë është paraqitur me lojtarë vendor, pa asnjë amerikan, dhe pa njërin ndër bartësit kyc të lojës, Erjon Kastratin, i cili ende është duke u rehabilituar nga lëndimi i përjetuar në shtator. Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t'u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019;

 Më 13 dhjetor 2018 në Beograd është bërë tërheqja e shortit për FIBA Kampionatet Evropiane të kategorive të reja në të dyja konkurrencat, ku Përfaqësueset tona i kanë mësuar emrat e kundërshtarëve të tyre. Federata e Basketbollit të Kosovës për herë të parë e ka paraqitur për të garuar Përfaqësuesen U20 në konkurrencën e femrave dhe tashmë janë gjithsej 6 Përfaqësuese që do të marrin pjesë vitin e ardhshëm në FIBA Kampionate Evropiane, Divizione B (U16, U18, 20, meshkuj dhe femra). Federatën e Basketbollit të Kosovës në këtë event e kanë përfaqësuar Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme dhe Granit Rugova, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës;

-          Më 17 dhjetor, Federata e Basketbollit të Kosovës e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U20, Divizioni B në konkurrencën e femrave. Kampionati do të mbahet prej 3 deri më 11 gusht të vitit 2019 në Prishtinë.

Këtë vendim e ka marr Bordi i FIBA Evropës më 17 dhjetor në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në Munich. Shtetet pjesëmarrëse në këtë Kampionat do të jenë: Kosova, Islanda, Kroacia, Izraeli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria. Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi, dhe në veçanti sportin femëror, kjo është një e arritur e madhe;

Pas turneut ndërkombëtar në Sofje të Bullgarisë që është organizuar në muajin shtator në kuadër të projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF), prej 18 deri më 21 dhjetor Federata e Basketbollit të Kosovës ka marr pjesë në turneun ndërkombëtar në Targu Jiu të Rumanisë, duke u përfaqësuar me dy ekipe (djem/vajza) deri në moshën 14 vjeçe. Secili ekip i ka zhvilluar nga gjithsej 4 ndeshje. Krahas Kosovës dhe Rumanisë, pjesë e këtij projekti janë edhe Federata e Basketbollit të Turqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë;

 Më 20 dhjetor Bordi i FBK-së ka emëruar përzgjedhësit e Përfaqësueseve të Reja të Kosovës në të dyja konkurrencat. Përfaqësuesen U16 në konkurrencën e femrave do të udhëheq Edin Kërveshi; Përfaqësuesen U18 (F) do ta udhëheq Illmen Bajra; Përfaqësuesen U20 (F) do ta udhëheq Fidan Shatri, me ndihmës Ismet Feratin; Përfaqësuesen U16 (Meshkujt) do ta udhëheq Albert Sylejmani; Përfaqësuesen U18 (M) do ta udhëheq Gyltekin Selimi; Përfaqësuesen U20 (M) do ta udhëheq Ibrahim Karabeg;

Federata e Basketbollit të Kosovës do ta përmbyll vitin 2018 më 29 dhjetor, kur edhe do të organizohet turneu i vajzave të moshës prej U12 deri U15 me rastin e lansimit të projektit “GILRS’ Program” të FIBA Evropës, ku FBK është fituese e këtij projekti në mesin e 20 Federatave të tjerave evropiane. Projekti e ka moton “Her World, Her Rules” me ç’rast synohet që me aktivitetet që do të organizohen në disa qytete të Kosovës prej vitit 2019, të kemi numër sa më të madh të vajzave që e praktikojnë basketbollin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat