Kosova përgatitet për sfidat e ndryshme

Basketboll

Kosova përgatitet për sfidat e ndryshme

Më: 5 janar 2019 Në ora: 18:06
Pamje nga stërvitjet

Tri kombëtaret e reja të Kosovës, U20, U18, U16 në konkurrencën e meshkujve i kanë mbajtur grumbullimet e para, ditën e premte dhe të shtunë në mënyrë që të përgatiten sa më mirë për të gjitha sfidat që i presin në FIBA Kampionatet Evropiane gjatë verës.

Përzgjedhësit e Kosovës, Ibrahim Karabeg (U20), Gyltekin Selimi (U18) dhe Albert Sylejmani (U16) së bashku me ndihmësit e tyre së pari i kanë ftuar secili nga rreth 30 basketbollistë në mënyrë që deri në fillim të muajit maj të arrijnë deri te 15-shja, me të cilën do të punojnë deri në ditën që do të nisen për në FIBA Kampionatet Evropiane.

Duhet theksuar se të premten dhe të shtunën stërvitjet e të trija këtyre Përfaqësueseve i ka mbikqyrur trajneri turk, Bilal Han Duru, njëherësh ish-Koordinator i Gjeneratave të Reja në KB Efes Pilsen, i cili ka ardhur në Kosovë për të mbajtur një ligjëratë në Klinikën për Trajnerë që do të mbahet të dielën në Prishtinë.

Po ashtu në stërvitjet e të trija Përfaqësueseve ka marr pjesë edhe Prof. Dr. Ridvan Ekmekçi nga Turqia, i cili ka punuar me basketbollistët në stërvitje në përgatitjen mentale të tyre për stërvitje, por edhe për ndeshje.

Federata e Basketbollit të Kosovës në muajin dhjetor i ka emëruar të gjithë përzgjedhësit e Përfaqësueseve të Reja në mënyrë që ata të fillojnë punën me skuadrat e tyre që nga muaji janar, duke i grumbulluar në këta muajt e parë dy deri në tre herë në muaj, derisa që nga muaji maj do të punohet në mënyrë intensive me të gjitha Përfaqësueset, duke përfshirë edhe ato në konkurrencën e femrave.

Kosova U20 do të bëjë gara në FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B që do të mbahet në Matosinhos/Portugali prej 12 deri më 21 korrik 2019. Kosova U20 është në Grupin C së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.

Kosova U18 do të bëjë gara në FIBA U18 Kampionatin Evropian, Divizioni B që do të mbahet në Oradea/Rumani prej 26 korrik deri më 4 gusht 2019. Kosova U18 është në Grupin D së bashku me Bjellorusinë, Suedinë, Hungarinë, Austrinë dhe Portugalinë.

Kosova U16 do të bëjë gara në FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni B që do të mbahet në Podgoricë/Mali i Zi prej 8 deri më 17 gusht 2019. Kosova U16 është në Grupin A së bashku me Suedinë, Norvegjinë, Bullgarinë, Poloninë dhe Hungarinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat