Lipjani me dy përforcime të huaja

Basketboll

Lipjani me dy përforcime të huaja

Nga: K. Goca Më: 13 janar 2019 Në ora: 14:38
James Johnson

Klubi i basketbollit Lipjani e ka marrë shumë seriozisht afatin kalimtar të janarit dhe pretendon të jetë sa më i kompletuar në prag të fillimit të pjesës së dytë të kampionatit në Superligën e Kosovës. Lipjani është në fund të tabelës por me shpresa se do ta sigurojnë biletën për në play-aut për të mbetur në shoqërinë e më të mirëve. Në faqen e klubit të Lipjanit konfirmohet se janë përforcuar edhe me dy basketbollistë amerikanë.

“Amerikani James Johnson është i gjatë 198 centimetra. James ishte pjesë e kolegjit të Culver Stockton, gjithashtu ka luajtur në Kinë, në Spanjë dhe në Kanada. James pritet të na bashkohet ditëve në vijim. Ronald Farmer Blanchard është amerikan dhe i gjatë 208 centimetra, pritet të na ndihmoj në pozitën e qendrës, me përvojën e tij të madhe në ekipe të ndryshme, Washington Adventist University, pastaj në Gjermani, Bolivi, Argjentinë e Puerto Riko,  së fundi ishte i ekipit Cb Utrera në Spanjë.

Ai do të jetë një qendër gjigante për ekipin tonë”, bëhet e ditur nga klubi. Jo me kaq, para disa ditëve ishin përforcuar edhe me Bryson Leonard Harris. Klubi bëri të ditur edhe një risi: “Tani do të dalin në shitje librezat e anëtarësimit vjetor të ulëseve në parket, meqë është numër i kufizuar, edhe librezat janë në sasi të limituar”. Lipjani është në vend të dhjetë, me 2 fitore e 12 humbje, pra ka gjithsej 16 pikë, sa ka edhe Borea një pozitë më lartë. Lipjanasit i pret punë e vështirë në pjesën e dytë të kampionatit, por me përforcimet që kanë bërë i japin shpresë se mund ta arrijnë qëllimin për mbetje në ligë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat