Po afrohet dita e madhe e All Star Game

Basketboll

Po afrohet dita e madhe e All Star Game

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 15:17
Po afrohet dita e madhe e All Star Game

Po afrohet dita e madhe e All Star Game e megjithatë spektakli në NBA është i përditshëm. U luajtën 5 takimet e radhës, me rëndësi të veçantë për të dyja konferencat.

Sfida më e rëndësishme u luajt pa dyshim në “Wells Fargo Center” të Philadelphias, ku 76ers ndalën hapin e fitoreve ndaj Boston Celtics, teksa u mposhtën 109-112. Bardhëjeshilët, edhe pse pa shërbimet e Kyrie Irving, parakaluan në renditje rivalët për vendin e katërt në Konferencën e Lindjes. Hayward dhe Horford, respektivisht me 26 dhe 23 pikë, ishin inspiruesit e fitores së Celtics, ndërsa për 76ers, Joel Embiid shënoi 23 pikë e kontrolloi 14 topa poshtë koshit, por pa mundur të bënte më shumë që të shmangte humbjen.

Në Perëndim vazhdojnë marshimin Golden State Warriors, që iu imponuan 115-107 Utaj Jazz. Për kalifornianët ishte suksesi i pestë radhazi, i 22-ti në 29 ndeshje shtëpiake, me një ecuri prej 10 fitoresh e vetëm një humbje në 11 takimet e fundit. Kevin Durant rezultoi më i miri mbi parket me 28 pikë, ndërsa Stephen Curry u rezervua me vetëm 24 pikë. Për Jazz formën më të mirë e shfaqi Mitchell me 25 pikë në total.

E pabesueshme humbja e Los Angeles Lakers 117-113 në parketin e Atalnta Hawks, edhe pse kalifornianët konsideroheshin favotirë. Nuk mjaftuan 28 pikët, 16 asistimet dhe 11 “rebound” të LeBron James, që pati ndihmë të pamjaftueshme nga pjesa tjetër e skuadrës. Për Hawks spikatën veçanërisht dy elementë, Young dhe Collins me 22 pikë secili. Lakers me 28 fitore dhe 29 humbje në total rrezikojnë seriozisht të mbeten jashtë zonë play off me këtë ecuri.

San Antonio Spurs fituan me shumë vështirësi me vetëm 1 pikë diferencë 107-108 në parketin e Memphis Grizzlies, duke ndalur ecurinë negative prej 4 humbjesh radhazi. Bradley dhe Valanciunas, respektivisht me 33 dhe 22 pikë, e afruan shumë Memphisin me fitoren, por loja në skuadër e Spurs beri diferencën, edhe pse me vetëm një pikë më shumë.

Ndeshje e dobët e New Orleans Pelicans në shtëpi me Orlando Magic, që fituan me rezultatin 88-118. Për Magic kjo ishte fitorja e katërt radhazi, që jep shpresë për renditjen në zonën play off në fund të sezonit të rregullt.

Rezultatet
Atlanta Hawks-Los Angeles Lakers 117:113
Philadelphia 76ers-Boston Celtics 109:112
Memphis Grizzlies-San Antonio Spurs 107:108
New Orleans Pelicans-Orlando Magic 88:118
Golden State Warriors-Utah Jazz 115:108

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat