Gashi: Palestrën e Rahovecit e testojmë me 27 shkurt

Basketboll

Gashi: Palestrën e Rahovecit e testojmë me 27 shkurt

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 15:41
Gashi: Palestrën e Rahovecit e testojmë me 27 shkurt

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi vizituan palestrën sportive në Rahovec për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar.

Gashi deklaroj se ndodhet në këtë palestër për të parë nga afër punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportive dhe për të rikonfirmuar përkushtimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që kjo palestër të përfundohet sa më parë.

“Ndodhem për herë të tretë në Rahovec dhe pikërisht në këtë palestër dhe jemi në fazën përfundimtare të kryerjes së punimeve ashtu që kjo palestër të jetë e gatshme për të zhvilluar gara”, u shpreh Gashi.

Image

“Natyrisht, se puna më e madhe është kryer në këta tre-katër muajt e fundit prej kurse jemi dakorduar me kryetarin Latifi që ta kemi të gatshme palestrën për zhvillimin e Kupës së Kosovës në basketboll. Është një moment jashtëzakonisht i mirë që përmes këtyre garave që ta testojmë palestrën e Rahovecit”, theksoi tutje ministri, duke vlerësuar se është fat i mirë dhe ditë e madhe për Rahovecin, për sportistët e sportdashësit që ta kenë një projekt kaq të madh i cili ka një vlerë rreth 3 milion euro. 

Ministri shpjegoi tutje se palestra do të ketë një kapacitet me 2200 ulëse statike me mundësi të ulëseve teleskopike nëse do të jetë e nevojshme. “E kemi edhe një fazë të fundit për të përfunduar në tërësi projekti dhe kjo palestër do t’u dorëzohet juve si kryetar i Komunës dhe përmes juve sportistëve dhe të gjithë qytetarëve të Rahovecit”, tha ministri duke pohuar se është palestra e dytë këtë vit që do të inaugurohet në Kosovë.

Ministri tha se këtë vit do të përfundohen edhe palestrat tjera punimet në të cilat kanë zgjatur me vite. “Do të punojmë me një përkushtim të madh që të finalizojmë projektet e mbetura me vite”, tha ai. Ndërkaq kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, falënderoi ministrin Gashi për angazhimin për kujdesin dhe mbështetjen e projektit të palestrës në Rahovec. “Edhe pse ka zgjatur si projekt me vite të tëra, falë ministrit dhe stafit të tij objekti gati plotësisht është i shfrytëzueshëm për të filluar ndeshjet për kupën e Kosovës në basketboll”, u shpreh mes tjerash Latifi. Duhet theksuar se në palestrën në Rahovec, nga data 27 shkurt e deri me 3 mars, do të zhvillohen ndeshjet e Kupës së Kosovës në basketboll. Ndeshjet finale si te femrat po ashtu edhe te meshkujt, priten me kërshëri të madhe, veçmas nga qytetarët e Rahovecit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat