Hoxha: Në kohën kur isha fëmijë...

Basketboll

Hoxha: Në kohën kur isha fëmijë...

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 16:50
Hoxha: Në kohën kur isha fëmijë...

Ëndrra, realitet! Në kohën kur isha fëmijë si shumë të tjerë filluam të mendojmë se çka dëshirojmë të bëhemi kur të rritemi dhe natyrisht si fëmijë opsionet dhe dëshirat ishin të shumta, por pavarësisht gjitha ambicieve basketbolli çdo herë ka zënë vend në listë, krejt kjo sepse unë e konsideroja si pjesë të pandashme të jetës. Kohët ishin të vështira megjithatë me kushtet që kishim asnjëherë nuk largohesha nga ndjekja e ëndrrës që ishte të qenurit basketbollist dhe të luaja në skuadrat e mëdha evropiane.

Rrugëtimi filloi në Rahovec dhe mbaj mend mirë sakrificën e gjithë atyre që në rrethana të vështira u munduan ta bënin realitet atë ëndërr që kisha, që në fakt nuk ishte fare e lehtë por ata ia dolën gjë që edhe më shumë më motivoi që të vazhdoj ta ndjek dh ta trashëgoj atë që ishte nisur. Fatkeqësisht për shkak të zhvillimeve të asaj kohe duke u nisur nga ato politike, unë si shumë të rinj të tjerë është dashur të largohem nga Kosova dhe asnjëherë nuk munda ta çoj ëndrrën time deri në fund.

Gjatë tërë kësaj kohe fizikisht isha dikund tjetër ndërsa me mendje në Rahovec, andaj me tu kthyer në mundësinë e parë fillova të angazhohem me gjithë ata që punuan për të mbajtur gjallë basketbollin, pa përmendur emra sepse ka shumë prej tyre që kanë dhënë kontribut në një mënyrë ose tjetër. Riorganizimi i klubit menjëherë pas luftës pasqyroi vullnetin, dëshirën por edhe nxori në pah shumë talentë qe ishin të gatshëm të ndjekin deri në fund atë që unë nuk arrita. Me kalimin kohës filluan të shfaqeshin problemet e para dhe ato nuk lidheshin ndoshta krejt me çështjet financiare, por kishte të bënte me shtëpinë që klubi nuk e kishte. Ndeshjet atëbotë zhvilloheshin në sallën e shkollës së mesme por ajo nuk mjaftonte për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm.

Në këtë rast filloi një ëndërr tjetër, një ëndërr që për synim kishte që Rahoveci ta ketë një palestër moderne pasi po shndërrohej në qytet të basketbollit. Ishin fillimet e viteve të pasluftës që doli në pah ideja për një palestër, aty fillova të mendoj se atë që nuk arrita unë, duhet të angazhohem e të punoj që t’a arrijnë gjeneratat e ardhshme. Duke parë që edhe kjo ide po neglizhohej, të stërlodhur nga pritjet KB Rahoveci pushoi së ekzistuari e funksionuar.

Jam i bindur se ky ka qenë një ndër momentet më të vështira jo vetëm për mua por për secilin që i dha shumë basketbollit, sportit e qytetit në përgjithësi.

Pavarësisht kësaj situate dhe jo më kot thonë " Shpresa vdes e fundit", gjithmonë kam besuar se ditët e mira do të vijnë. Një shkëndijë drite u pa në në vitin 2008 kur filloi ndërtimi i ‘ëndrrës’ – palestrës.

Kjo ishte pikënisja dhe arsyeja që viteve të ardhshme të mendohej riorganizimi i klubit pavarësisht zhagitjeve në punimet e palestrës.

Dhe përfundimisht bashkë me kolegët basketbollistë dhe ish basketbollistë, që i dhanë shumë vendit ndërrmorëm një hap për ta vazhduar ëndrrën. U mblodhëm e bëmë planin, ndërsa më vendim të anëtarëve të Kuvendit u zgjodha edhe kryetar i klubit. Atë moment, aty thashë që ky është nderi më i madh për mua dhe momenti për të çuar projektin e palestrës përpara. Brenda dy vitesh Rahoveci hyri në Superligë, ndërsa për dy vitet të tjera hyri në Play Off dhe sot llogaritet një ndër klubet më të organizuara në Kosovë. Dikush mund të aludoj që ky rrugëtim ka qenë i lehtë, por definitivisht jo.

Duke falënderuar shumë individë, zyrtarë e biznese për vullnetin e treguar, Rahoveci asnjëherë ska hequr dorë nga ndekja e ëndrrës për të luajtuar në shtëpi dhe para publikut. Dhe ja momenti erdhi, momenti më fantastik i mundshëm që pikërisht në kohën e organizimit të Kupës së Kosovës ne të transferohemi në shtëpinë tone – në palestrën tonë ‘’Mizahir Isma’’. Ky është momenti më historik në sportin e komunës sonë.

Shumë breza kanë kaluar e sakrifikuar për këtë ditë, prandaj duke mos u zgjatur shumë unë dua të falënderoj secilin që ka kontribuar duke u nisur nga basketbollistët, ish basketbollistët, biznesmenët, kryetarë të komunave nga viti 2008 e posaçërisht Kryetarin aktual Smajl Latifi që i njëjti ka ecur në rrugën tonë duke besuar në projektin tonë .

Sot, jam njeriu më i lumtur dhe bashkë më shumë kolegë bashkëpunëtorë nga bordi e klubi, që janë plotë vullnet për punë ndihemi krenarë për punën tonë dhe atë se çfarë kemi arritur. Por nuk do të ndalemi këtu, kemi obligime e shumë punë të tjera në projektet e ardhshme. Në këtë rast na pret një super turne siç është Euroing Kupa e Kosovës, ku Rahoveci ashtu siç di dhe shquhet edhe këtu do të tregoj shembullin më të mirë të organizimit.

Andaj I dëshiroj mirëseardhje të gjithë dashamirëve të basketbollit nga e tërë Kosova që në këto ditë të spektaklit basketbollistik, shtëpia jonë do jetë dhe shtëpi e juaja.

MIRËSËVINI NË RAHOVEC, e gëzofshim shtëpinë!”,  letër nga kryetari i klubit të basketbollit Rahoveci, Bekim Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat