Prishtina e gatshme për Varesen

Basketboll

Prishtina e gatshme për Varesen

Më: 4 mars 2019 Në ora: 14:45
Foto ilustrim

Klubi Basketbollistik Prishtina pas fitimit të Kupës së Kosovës, tashmë ka për synim ta mposhtë edhe klubin italian, Varesen.

Ndeshja mes Prishtinës dhe kampionit të dhjetëfishtë italian dhe pesëfishtë evropian, Pallacanestro Varese do të zhvillohet këtë të mërkurë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Në fazën e 16-të më të mirëve do të përfaqësohen 12 shtete, me Prishtinën që bëhet ekipi i parë që e arrin play-offin dhe e përfaqëson Kosovën në një garë evropiane në basketboll.

Bardh e kaltrit do të mundohen ta mposhtin skuadrën nga Italia për t’u kualifikuar më tutje në FIBA Europe Cup ku për kundërshtar do ta kishte fituesin e duelit mes  Donar dhe Filou Ostende.

Lojtari më i mirë i skuadrës nga kryeqyteti, Dardan Berisha tha për KosovaPress se kjo do te jetë një ndeshje tejet e vështirë për të,  por sipas tij me përkrahjen e tifozëve “Plisat’  do ta shkaktojnë befasinë e radhës.

Berisha: Do të mundohemi të shkaktojmë befasi

“Po ka me qenë një ndeshje mjaft e vështirë, por pres me qenë atmosfera shumë e zjarrtë, me qenë salla e stërmbushur dhe ndoshta me u mundu ta bëjmë një befasi. Definitivisht s’kemi me qenë favorit ajo dihet,  por do ta lejmë  zemrën në parket për ta fituar ndeshjen”,  tha Berisha.

Berisha  ishte lënduar në FINAL 8 të Kupës së Kosovës, mirëpo sipas tij ky lëndim ka  kaluar dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës.

Berisha: Jam 100 përqind i gatshëm

“Po qe disa ditë nuk kam ushtruar, për këtë arsyeje mendoj se sot kam luajtur më shumë, me qenë sa më i përgatit për ‘Varesen’ , kështu që deri të mërkurën besoj që do të jem 100 përqind”, tha ai.

Ndërkohë që kapiteni i skuadrës, Edmond Azemi shprehet tejet i lumtur me këtë arritje të ekipit të tij, dhe pas fitimit të Kupës së Kosovës ai tha se nëse fitojnë në Prishtinë, ndeshja e dytë që zhvillohet në Itali do të ishte shumë e lehtë për ta.

Azemi: Ta mposhtim ‘Varesen’ në Prishtinë dhe të udhëtojmë të qetë në Itali

“Po normal që me ‘Varesen’ loja është shumë e vështirë, sepse e kemi me 6 mars të mërkurën. ‘Varese’ është ekipa që 10 herë ka qenë kampion i Italisë, 5 herë ka fituar Euroligën dhe dmth. e kanë një traditë, Na do të luftojmë prapë se prapë edhe pse  e kemi vështirë, të paktën e kemi një shpresë sepse lojën e parë luajmë si vendas. Të fitojmë këtë lojë këtu në Prishtinë dhe tani në Itali të udhëtojmë edhe atje për fitore”, u shpreh Azemi.

Trajneri i Prishtinës, Damir Mulaomeroviq fton të gjithë përkrahësit e Prishtinës që të mërkurën të jenë në palestër, dhe të krijojnë një atmosferë fantastike. Sipas tij nëse Prishtina luan si në finale ndaj Rahovecit, ata do ti kenë shpresat e mëdha për një fitore të madhe ndaj klubit italian.

Mulaomeroviq: Besoj në lojtarët e skuadrës sime

“Të mërkurën do të mundohemi të bëjmë shumë gjëra. Jemi në 16 më të mirët. I ftoj të gjithë tifozët të vijnë. Do të jetë salla e mbushur njëjtë si kësaj here. Të  provojmë të bëjmë edhe një mrekulli tjetër. Nuk kam nevojë të them sesa ekip i madh është ‘Varese’, por nëse luajmë sikur sonte do te kemi çfarë të flasim” tha trajneri i Prishtinës.

Kujtojmë që Prishtina e siguroi kualifikimin në play-off në ndeshjen e fundit në Grupin I, duke e mposhtur Pinar Karsiyakan 82:78 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat